Fjalë Kyçe

Aviacioni Civil ka këtë kërkesë për kontrollorët e trafikut ajror

Aviacioni Civil ka këtë kërkesë për kontrollorët e trafikut ajror

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës ka njoftuar se është duke e përcjell për së afërmi situatën e krijuar në sektorin e aviacionit civil në përgjithësi dhe në veçanti sigurinë e operimeve ajrore në ANP “Adem Jashari” me rastin e vazhdimit të grevës së kontrollorëve të trafikut ajror të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Në një komunikatë për media, AAC  ka theksuar se bashkëndjejnë shqetësimin e udhëtarëve të prekur nga greva, duke informuar se kompanitë ajrore janë njoftuar me kohë mbi grevën dhe orarin në mënyrë që ato të kenë mundësinë e organizimit të tyre pa e cenuar sigurinë në asnjë mënyrë.

“AAC-ja shpreh keqardhje që kontrollorët e trafikut ajror në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror  kanë vendosur të vazhdojnë grevën me gjithë dedikimin tonë dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për trajtimin e tyre sipas rëndësisë së kontrollorëve të trafikut ajror, mungesës së tyre në tregun e punës dhe specifikat e punës që argumentojnë një trajtim ndryshe nga shërbyesit tjerë civilë.

AAC-ja ju bën thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që të ndërprenë e grevën duke pasur parasysh pasojat e mëdha për publikun që udhëton dhe humbjet tjera direkte e indirekte që mund të shkaktohen.

AAC-ja shpreson që palët të arrijnë një konsensus sa më të shpejtë në mënyrë që operimet ajrore të bëhen sipas orarit të planifikuar dhe të mos dëmtohen edhe më tej udhëtarët dhe funksionimi normal i ANP “Adem Jashari””, thuhet në komunikatë./Gazeta Alo/