Në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur sërish beteja e avokatëve të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare për t’i nxjerrë në liri krerët e UÇK-së deri në nisjen e gjykimit.
Kësisoj, Ben Emmerson, avokat i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka dërguar në Gjykatë parashtresat në shenjë kundërpërgjigje ndaj argumenteve të Prokurorisë e cila po tenton t’i mbajë ende prapa grilave udhëheqësit e luftës, shkruan lajmi.net.
Në këto parashtresa, Emmerson i është përgjigjur Prokurorisë e cila ka marrë si referencë periudhën e gjykimit të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj në Tribunale Ndërkombëtare, periudhë kjo që sipas prokurorit të specializuar ishte “fatale” për dëshmitarët.
Në këtë aspekt kundërargumenton Emmerson, duke cituar Zëdhënësen e atëhershme të Regjistrit të Tribunalit e cila i kishte mohuar krejtësisht këto informata të plasuara në opinion.
“Çështja e parë ka të bëjë me keqkarakterizimin e rastit Haradinaj para TPNJ-së. Prokuroria i referohet “fatit të dëshmitarëve” në gjyqet e UÇK-së, për të cilat citon aktgjykimin e parë (Ramush) për Haradinaj. Në masën që parashtresat e Prokurorisë edhe një herë krijojnë përshtypjen se dëshmitarët në procesin e Haradinajt pësuan një “fat” – d.m.th., u vranë. Dy javë pas nxjerrjes së aktgjykimit të parë për Haradinaj, Zëdhënësja e atëhershme për Regjistrim dhe Dhoma kishte arsye të lëshonte një deklaratë për shtyp për të adresuar dezinformatat në lidhje me dëshmitarët dhe mbrojtjen e dëshmitarëve që po përhapeshin nga Serbia dhe akterët e tjerë”, thotë Emmerson.
Avokati britanik citon edhe deklaratën e ish-zëdhënësit së regjistrit të gjykatës në të cilën shprehimisht thuhet:
“Ndërkohë, më lejoni të rishikoj çështjen e veçantë të mbrojtjes së dëshmitarëve që është keqinterpretuar sistematikisht në Serbi. Ndryshe nga dezinformatat e vendosura në sferën publike nga zyrtarët serbë, pohimet se dëshmitarët që dëshmuan në këtë rast janë vrarë janë thjesht të pavërteta. Dhoma Gjyqësore deklaroi qartë se procedurat u zhvilluan në një atmosferë ku dëshmitarët ndiheshin të pasigurt. Të ekstrapolosh nga ai vlerësim se shumë dëshmitarë u vranë është fals dhe e pasaktë. Sa i përket dëshmitarëve që hezitonin të dëshmonin, shumica iu përgjigjën thirrjeve të lëshuara nga gjykata”.
Në dritë të këtyre argumenteve, është përmendur edhe dëshmitari i njohur tanimë në rastin Haradinaj, Shefqet Kabashi.
“Siç dihet, Prokuroria në atë rast bëri ankesë, me sukses, dhe u mbajt rigjykimi, në të cilin u paraqitën dhe dëshmuan të gjithë dëshmitarët e thirrur – me përjashtim të z. Shefqet Kabashi. Z. Kabashi u paraqit, por në thelb refuzoi të dëshmonte. Më pas ai u akuzua dhe u dënua për përbuzje”, thuhet në shkresën e Emmerson që e ka parë lajmi.net.
“Z. Kabashi është dëshmitari të cilit i është referuar z. Reid në dëshminë e tij në gjyqin Gucati & Haradinaj, e cila kujtohet në paragrafin 14 të parashtresave të Prokurorisë. Aty, ata deklarojnë se “Z. Reid vazhdoi të kujtonte një incident të veçantë ku një dëshmitar, pasi erdhi në Hagë dhe mori qëndrimin e dëshmitarit, preferoi të akuzohej për shpërfillje të gjykatës dhe të burgosej në vend që të jepte dëshmi kundër ish-anëtarëve të UÇK-së”. Në të vërtetë, ai është i vetmi dëshmitar, rrethanat e të cilit përputhen me këtë përshkrim”, thotë tutje Emmerson.
Avokati tutje thekson se Prokuroria ka pasaktësi serioze në konstatimin e saj se Shefqet Kabashi kishte refuzuar të dëshmonte shkaku i frikës nga të akuzuarit.
Kjo sipas tij madje është një pasqyrim i pasaktë bazuar edhe në gjetjet gjyqësore në atë rast.
“Përshkrimi i ngjarjeve nga Prokuroria jep përshtypjen e qartë se z. Kabashi refuzoi të dëshmonte nga frika e hakmarrjes në emër të të Akuzuarit. Megjithatë, ky nuk është një pasqyrim i saktë i gjetjeve gjyqësore në atë rast”, thotë Emmerson.
Çështje tjetër e ngritur nga avokati i Veselit është edhe ajo e Nazim Bllacës.
Për të, Emmerson ka thënë se ai ka qenë agjent i intelegjencës serbe dhe asnjëherë anëtar i SHIK-ut.
“Çështja e tretë ka të bëjë me pretendimet e paprovuara [REDAKTUAR] se anëtarët e SHIK-ut ishin “të përfshirë në vëzhgimin, kërcënimin dhe dhënien e ryshfetit të dëshmitarëve që dëshmonin kundër ish-anëtarëve të UÇK-së ”. Mbrojtja kujton parashtresat e saj të mëparshme para Kolegjit të Gjykatës së Apelit (të cilave Prokuroria nuk i është përgjigjur kurrë) se z. Bllaca me shumë gjasa nuk ka qenë kurrë anëtar i SHIK-ut; se më tej, ka arsye për të besuar se ai ishte agjent i inteligjencës së shtetit serb”, ka thënë Emmerson në parashtresat e tij.
Vlen të përmendet se parashtresat për lirim nga paraburgimi i ka dërguar në gjykatë edhe avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe.
Ky i fundit bëri të ditur se disa shtete kanë dalë sërish garanci për lirimin e tij nga paraburgimi