Fjalë Kyçe

Avokati Musa Damati: Të bëhet hetim i plotë lidhur me proceset ligjore të mëhershme për të dyshuarit e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj

Avokati Musa Damati: Të bëhet hetim i plotë lidhur me proceset ligjore të mëhershme për të dyshuarit e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj

Arbër Sejdiu, njëri nga të dyshuarit e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj, kishte pasur vepra penale edhe më herët.

Gjykata Themelore e Ferizajt gjatë ditës së martë ka bërtë të ditur se që nga 12 korriku i vitit 2013, Arbër Sejdiu është i dyshuar për kryerjen e një tjetër vrasjeje të rëndë në tentativë dhe për vite me radhë lënda e tij ka qarkulluar nëpër gjykata.

Lidhur me këtë ka reaguar avokati Musa Damati.

Në një prononcim për Telegrafin, Damati ka thënë se vonesat në shqyrtimin e proceseve ligjore në gjykatat e Kosovës nuk mund të interpretohen ndryshe përveç se si cenim i drejtpërdrejtë i të drejtave dhe lirive fondamentale të njeriut.

Tutje thekson se është po ashtu cenim i të drejtës për gjykim të arsyeshëm kohorë dhe objektiv, e cila sipas tij garantohet me Konventën Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të Njeriut si dhe me Kushtetutën e vendit.

“Rasti i fundit i cili në mënyrë të pastër klasike mendoj se vetëm sa e shpërfaq burokracinë e pa pranueshme në zvarritjen e lëndëve të ndjeshme penale”, ka thënë Damati.

Ai ka bërë thirrje që të bëhet hetim i plotë për të përcaktuar shkaqet që kanë çuar në prolongimin e proceseve ligjore për të dyshuarit e rastit konkret.

“Vlerësoj dhe bëjë thirrje se duhet te bëhet një hetim i plotë për të përcaktuar shkaqet që kanë çuar në prolongimin e proceseve ligjore për të dyshuarit e rastit konkret, e që raste të tilla ka pafundësisht shumë nëpër Gjykatat e Kosovës, praktikë kjo ekzistuese e cila përfundimisht duhet të ndryshoj”,u shpreh Damati.

Më tej shtoi se rasti i fundit “duhet të shërbejë edhe si argument shtesë për të reformuar gjyqësinë e vendit përmes aplikimit të vetingut dhe po ashtu duhet të reformohet politika ndëshkimore nëpër gjykatat e Kosovës në mënyrë që subjektet e recidivizmit dhe të veprave të rënda penale të marrin sanksione sa më të larta penale”./Telegrafi.