Fjalë Kyçe

Azbesti kancerogjen në çatitë e banesave në Prishtinë

Azbesti kancerogjen në çatitë e banesave në Prishtinë

Lesoniti është njëri prej materialeve që është përdorur më së shumti gjatë kohës së ish-Jugosllavisë si mbulesë për çatitë e objekteve.

Edhe pse me kalimin e viteve ai u zëvendësua, ky material që në përmbajtjen e tij ka mineralin kancerogjen të azbestit, edhe më tutje kryen rolin e mbështjellësit të kulmeve në disa objekte.

Në barakën me çati prej lesoniti për më shumë se 35 vjetëve jeton Islam Kuleta bashkë me gruan e tij.

Thotë se jetesa në këtë objekt përveç që nuk i ka plotësuar kushtet elementare, u ka shkaktuar edhe shumë probleme shëndetësore.

Kuleta shprehet se është i vetëdijshëm për dëmet që azbesti u ka shkaktuar atyre në organizëm, por që sipas tij, kjo barakë ka qenë streha e vetme të cilën kanë mundur ta sigurojnë.

Me fillimin e punimeve në parkingun nëntokësor, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të largojë banorët e këtyre barakave, ashtu që të bëjë rrënimin e këtyre objekteve për të zgjeruar këtë hapësirë.

E sipas arkitektit Bekim Ramku, rrëzimi i këtyre objekteve me lesonitin si material kancerogjen është vendim i ngutshëm e i rrezikshëm.

Duke pasur parasysh që mungojnë deponitë e azbestit dhe stafi i trajnuar për të larguar këtë material prej çative sipas standardeve evropiane.

Ai tutje shton se duhet pasur kujdes për shkak të fijeve të azbestit që lirohen me thyerjen e materialit të lesonitit.

Me përhapjen e fijeve të azbestit, Drejtori i repartit të Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, thotë se brenda një periudhe të shkurtër fijet kancerogjene mund të prekin sistemin e organeve të njeriut.

Për rrezikun të cilin paraqesin mbeturinat me azbest nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kanë thënë se do të vëzhgojnë zhvillimet e aktiviteteve për këtë projekt, sipas kompetencave që kanë.

Në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni për KTV-në thuhet se përkundër ligjit të hartuar që më 2005-n Prishtina edhe më tutje nuk ka caktuar një lokacion të tillë.

“Nëse mbeturinat e azbestit hidhen vend e pavend, rreziku mund të jetë në çdo kohë sidomos nëse fijet e asbestit emitohen në ajër. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit do të angazhohet që të përkrahë komunat, që ato të sigurojnë vendet për vendosjen/trajtimin e mbeturinave me azbest, duke dhënë pëlqimin dhe lejen mjedisore si dhe me konsultime profesionale kur kërkohet. MEA ka hartuar legjislacionin e duhur për mbeturinat e azbestit dhe është e interesuar që secila komunë në bazë të obligimeve ligjore që u takojnë atyre të përcaktojë dhe posedojë një lokacion për vendosjen e mbeturinave me azbest. Deri më tani që nga viti 2005, komunat nuk e kanë përmbushur këtë obligim, e ndër to është edhe Komuna e Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e MEA-së.

Nga Komuna e Prishtinës për këtë çështje kanë thënë se sipas kontratës me OE në tërë hapësirën prej 1.4 ha punimet i realizon kompania e jo Komuna.

Genc Bashota nga Drejtoria e planifikimit strategjik ka thënë se Komuna ka themeluar Ekipin për Menaxhimin e Projektit në përputhje me ligjin e PPP, ndërsa sipas tij drejtoria me të cilën ai udhëheq nuk merret me mbikëqyrjen e projektit në fjalë.