Fjalë Kyçe

Bajrami akuzon Muratin për keqpërdorim të parasë publike

Bajrami akuzon Muratin për keqpërdorim të parasë publike

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami – Ministri aktual i Financave, Hekuran Murati

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë që prej kohës kur Hekuran Murati është ministër i Financave, sektorit publik s’i është rritur paga për 17 për qind.

Ajo ka përmendur pagën e konsulentit të jashtëm, Gani Jakupi, duke thënë se me paratë e qytetarëve “po paguan shokët e tij që nuk janë të paktë dhe ky është keqpërdorim i parasë publike”.

“Ministër propaganda po thotë që i ka rritë pagat 17%, në këtë 17% e paska llogaritë pagën 7500 euro të Gani Jakupit dhe pagën e vet e të stafit politik që ky me tu bërë ministër i financave i ka dyfishu. Realiteti është se askujt tjetër në vend në sektorin publik nuk i është rritë paga 17% gjatë vitit 2023, askujt. Dhe kur ti thua që i ke shpenzu më shumë 17% më shumë në paga kjo nuk i bjen që i ke rritë pagat për 17%, por i bjen që me taksat e qytetarëve po paguan Gani Jakupin e shokët e tij që nuk janë të paktë dhe ky është keqpërdorim i parasë publike”, ka shkruar Bajrami.

Sipas saj, 100 eurot e ndara për pensionistët s’ua kanë përmirësuar jetën atyre.

“Po të punoje e të dije, sot pensionet të ishin më të larta se paku për 23%, aq sa ka inflacion. Pensionistët nuk i kanë pasë problem çmimet e larta vetëm javën kur ti ju ke dhënë 100 euro, ata përballën me çmime të larta çdo ditë. Edhe e fundit ministër propaganda, 70 milionë euro që i kemi shpërnda për biznese në kohën e mbylljes totale të pandemisë ka qenë masa me transparente në histori të Qeverive të Republikës së Kosovës. Qysh po mendon me i arsyetu ti 881 milionë euro që i ke shpërndarë pa asnjë efekt, asnjë”, ka theksuar deputetja e LDK-së.

Të dielën, ministri Murati e deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, kanë polemizuar në Facebook për gjendjen në ekonomi. Murati i ka thënë Hotit se “propaganda nuk kalon”, derisa Hoti e ka akuzuar se përpos bizneset, asnjë shtresë tjetër e shoqërisë s’ka përfituar.