Fjalë Kyçe

Bajrami e LDK-së hedh kritika ndaj Muratit për mungesë projektesh: Ndëshkimi me votë do të ndodhë shpejt

Bajrami e LDK-së hedh kritika ndaj Muratit për mungesë projektesh: Ndëshkimi me votë do të ndodhë shpejt

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami, ka hedhur kritika ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me projektet dhe pagesat nga buxheti i shtetit.

Në llogarinë e saj në Facebook, Bajrami, ka thënë se qytetarët po kërkojnë llogari, për shkak se partia LVV dikur kishte premtuar për një mori projektesh për të cilat deputetja e LDK-së thotë se nuk është realizuar as edhe një i vetëm.

“Ministri Murati sot me mëngjes ishte marrë me opozitën. Në një reagim kishte përmendur nëntë herë OPOZITËN. Pra, ka përmendur nëntë herë opozitën ndërkaq për gati dy vjet qeverisje nuk i kanë nëntë projekte. Jo nëntë projekte. Por, asnjë projekt. Bash asnjë. ZERO”.

“Ku janë çerdhet e premtuara? 160 çerdhe publike janë premtuar nga partia në pushtet. A është ndërtuar të paktën një? JO! Ku janë banesat për të rinjtë, për arsimtarët? Janë premtuar mbi 2 mijë banesa. Asnjë nuk është ndërtuar deri tash. Çka po ndodhë me rrugën Prishtinë- Podujevë? Me rrugën Prishtinë – Mitrovicë? Me rrugën Kijevë – Zahaq? Rrugën për Tetovë? Terminet nëpër ambasada veç sa po rriten? Qytetarët po largohen nga Kosova! Mjekët po ikin! Rrymën e keni shtrenjtuar dhe siç po duket do ta shtrenjtoni prapë”, ka thënë Bajrami.

Bajrami beson se ndëshkimi me votë do të ndodhë shpejt në nivel nacional.

“Ndoshta, më shpejt se sa ka menduar opozita. Qytetarët po kërkojnë llogari, po kërkojnë realizim të premtimeve për çka keni ardhur në pushtet”, shtoi deputetja.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për pagesat nga buxheti i shtetit.

Sipas Muratit, pagesat e buxhetit të shtetit për periudhën e parë gjashtëmujore të vitit 2022 janë 1 miliard e 38 milionë euro dhe që llogaritet më e larta ndonjëherë.

“Pagesat që shteti bën, qoftë në formë të pagave, pensioneve, mallrave që blen, apo edhe investimeve kapitale, që të gjitha kontribuojnë në ekonominë e vendit”.

Mbi këtë, Murati ka dhënë një grafik i cili tregon se periudha gjashtëmujore e parë e vitit 2022, për sa i përket shpenzimit është më e lartë se të gjitha vitet paraprake, madje edhe më e lartë se viti 2021, kur kishte edhe zgjedhje.

Murati për opozitën ka thënë se nëse do të varet nga opozita parat që shteti ua jep nënave si shtesa për fëmijët, ata parat do t’i shfrytëzonin te një kompani pa asnjë procedurë a bazë ligjore, dhe atë shpenzim do ta quanin investim kapital e zhvillim ekonomik.

“Për opozitën ndoshta mbështetja për subvencionimin e kredive investuese për prodhuesit vendorë nuk është zhvillim ekonomik, sepse në buxhet kjo mbështetje figuron si shpenzim te kategoria Subvencione e Transfere, e jo si Shpenzim Kapital. Dhe këtë opozita e quan skemë sociale. Sepse për opozitën, zhvillim ekonomik është vetëm atëherë kur paratë e taksapaguesve ua jep supermarketeve.”, ka thënë Ministri i Fnancave, Hekuran Murati.

Murati gjithashtu ka përmendur se do të bëhen edhe investimet kapitale.