Fjalë Kyçe

Bajrami: Prokuroria Speciale të veprojë për 108 `kontrata sekrete`

Bajrami: Prokuroria Speciale të veprojë për 108 `kontrata sekrete`

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur sërish shqetësimin në lidhje me atë që ajo i quajti “kontrata sekrete”, të cilat janë nënshkruar gjatë qeverisjes Kurti.

Bajrami ka shkruar se brenda një periudhe të shkurtër prej tre muajsh janë nënshkruar 108 kontrata përmes procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, me një vlerë totale që kap më shumë se 30 milionë euro.

“Vetëm për tre muaj nga 1 janar 2024 deri më 31 mars 2024 janë nënshkruar edhe 108 kontrata përmes procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, vlera e të cilave është mbi 30 milionë euro. Sot Iniciativa për progres INPO, ka dërguar e-mail dhe analizë te të gjithë deputetët e Kuvendit, me të dhënat si më lart. Para disa jave ishim ne Lidhja Demkratike e Kosovës që publikuam të dhënat per mbi 781 kontrata në vlerë prej 209 milionë euro – kontrata sekrete. Patëm edhe debat në Kuvend ku u kërkua që të themelohet edhe Komision Hetimor Parlamentar për këto kontrata, të cilin e bllokojë LVV-ja. Dhe po shihet se ata s’kanë dashur të hetohen në mënyrë që korrupsioni të vazhdojë. Tani, vetëm për 3 muaj kemi edhe 108 kontrata në vlerë prej 30 milionë Euro”, ka shkruar ajo.

Ajo i bëri thirrje kryeministrit Kurti që të përballet me qytetarët dhe të shpjegojë veprimet e tij, ndërsa i kërkoi Prokurorisë Speciale të ndërhyjë urgjentisht për të trajtuar këto akuza për korrupsion dhe abuzim me paranë publike.

“Le t’i pyet Kurti qytetarët si ndihen për kontratat sekrete e Prokuroria Speciale të veprojë urgjentisht. I bëj thirrje Prokurorisë Speciale që këtë fenomen ta trajtojë urgjentisht dhe ta ndalojë abuzimin me paranë publike. Kurti le t’i pyet qytetarët se si ndihen ata kur shohin faktet se ministrat e Kurtit i kanë ndarë plot 240 milionë euro me shokë e dashamirë duke shkelë rëndë Ligjin e Prokurimit Publik”, ka shkruar ajo.