Bali Muharremaj e ka shpërblyer me tender prej 20 mijë eurove, anëtarin e partisë së tij nga radhët e AAK’së në Suharekë, Visar Kuçin.
Në fshatin Savrovë të komunës së Suharekës, javën e kaluar kanë filluar punimet për rregullimin e një parku në qendër të këtij fshati.
Kompania që e ka fituar tenderin për rregullimin e këtij parku, është ‘NTP Thesar’.
Metro ka kontaktuar Shefin e Kabinetit të kryetarit të Suharekës, Afrim Bytyqi, në lidhje me këtë tender, ku ka bërë të ditur edhe vlerën që e ka ky tender.
“Kompania fituese për projektin në Savrovë është ‘NTP Thesar’. Ky projekt ka vlerën prej 20,160.00 euro dhe në këtë çmim përfshihen rregullimi i hapësirës gjelbruese, ndriqimi dhe këndi i lojërave për fëmijë”, ka konfirmuar Bytyqi për Metron.
Në Agjencinë e regjistrimit të bizneseve në Kosovë, ‘NTP Thesar’ është e regjistuar në emër të Visar Kuçit.
Kjo kompani është e regjistruar si biznes individual, ku pikërisht drejtor i saj është Kuçi.
Gjatë hulumtimit të Metros, del se Kuçi është anëtar i AAK’së në Suharekë, parti kjo që qeverisë në këtë komunë.
Në Facebook’un e tij personal, ai e ka të shënuar se është pronar i ‘NTP Thesar’ dhe gjithashtu ka edhe fotografi të shumta me kryetarin e komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.
Metro edhe javëve të kaluara pati raportuar për skandale të tjera të Muharremajt, me tender.
Skandali i kaluar me tenderë ka qenë kur, komuna e ka anuluar një tender me shumë më të ulët dhe i ka dhënë një kompanie tjetër, që ka ofruar çmim shumëfish më të lartë.