Fjalë Kyçe

Banorët ankohen se në përroskën e Prugovcit thertoret po hedhin gjak

Banorët ankohen se në përroskën e Prugovcit thertoret po hedhin gjak

Në vend të ujit të pastër nga bjeshkët, banorëve të Prugovcit, para disa ditësh, u erdhi ujë me gjak në përroskën që kalon pranë shtëpive të tyre.

Banorët thonë se disa thertore të kafshëve mbi fshat e kanë bllokuar rrjetin e kanalizimit që gjendet ngjitur me përroskën, duke hedhur eshtra, lëkurë dhe gjak të kafshëve në të, raporton KTV.

Për pasojë, sipas tyre, gjaku i kafshëve ka mbuluar rrjedhën e përroskës.

Xhavit Visoka, që ka shtëpinë ngjitur me përroskën, thotë se nuk është hera e parë që mbetjet shtazore hidhen në përroskë.

Përveç gjakut, Visoka thotë se uji është i kontaminuar edhe me ujëra të zeza. Sipas tij, ekipet e ujësjellësit kanë intervenuar disa herë, por rrjeti sërish është dëmtuar.

Banorët theksojnë se deri vonë, në përroskën e vjetër rreth 100 vjet, ka pasur shumëllojshmëri të peshqve, mirëpo jo edhe tani.

Kundërmimi i vazhdueshëm po ua vështirëson jetën edhe banorëve që jetojnë afër kësaj përroske.

Ata paralajmërojnë komunën se nëse nuk ngutet për të ndërmarrë ndonjë masë, do ta bllokojnë tërë rrjetin e kanalizimit të fshatit.

Komuna thotë se është në dijeni për këtë problem dhe se do ta hetojë këtë çështje.

Ekipi i Kohavisionit ka shkuar në vendin ku banorët pretendojnë se punojnë këto thertore, mirëpo nuk ka hasur në to, e as në ndonjë punonjës të tyre.

Ndryshe, Kosova ka mungesë të deponisë për mbetje shtazore dhe hedhja e tyre është e ndaluar në deponinë e Mirashit.

Si pasojë, janë të shumtë tregtarët që mbetjet shtazore i hedhin nëpër hapësira të këtilla ose i mbështjellin me mbeturina tjera komunale nëpër kontejnerë.

Ky problem në zonën urbane është hasur disa herë në tunelin e lagjes “Dardania”.