Fjalë Kyçe

Banorët e Vrellës së Lipjanit rikujtojnë futjen e rusëve në fshat, pas luftës

Banorët e Vrellës së Lipjanit rikujtojnë futjen e rusëve në fshat, pas luftës

Një përvojë të hidhur me ushtrinë ruse e kanë pasur edhe disa shqiptarë të Kosovës në vitin 1999.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, një kontingjent i ushtrisë ruse kishte depërtuar në Kosovë.

Shumica në atë kohë u vendosën në Aeroportin e Prishtinës, por ushtarë rus kishte edhe në fshatin Vrellë të Lipjanit.

Haki Shala ishte një ndër banorët që ishte zënë rob nga serbët. Ai tregon momentin kur rusët erdhën në Kosovë.

“Pak para orës 11:00 rusët kanë ardhur në aeroportin e Prishtinës i cili nuk është larg nga fshati ynë. Unë nuk e kam ditur që në Kosovë kishte ardhur ushtria ruse, por ushtria serbe që ishte e vendosur në garazhdën time kanë dalë e kanë festua me armë. Ka pasur të shtëna sikurse të ishte ndezur lufta nga e para. Nuk është ditur nga po kërcet”.

Shala thonë se rusët bënë dëme të shumta në fshat.

“Një natë derisa vëllezërit e mi po vinin në fshat, rusët i kanë ndalur në pikën ku kanë qenë të vendosur dhe i kanë maltretuar. Vëllain e vogël e kishin maltretuar më tepër duke ia bërë “pleh” këmbët…Rusët kanë ardhur të plaçkitnin një dyqan ushqimorë. Për fat të mirë kanë rezistuar të gjithë banorët dhe janë përleshur me rusët”, tregon Shala për rtv dukagjini.

Ndërsa banori tjetër i këtij fshati thotë se ushtria ruse ishte ndër më të padisiplinuarat që kishte parë.

“Në tri katër raste unë e di që rusët janë kacafytur me popullatën pasi kanë qenë të dehur. Ushqimin e kanë pasur shumë të dobët. Rusët çka kanë gjetur nga ish armata Jugosllave, shembull armatim ose diçka tjetër kanë qenë në gjendje ta shesin të tërin”.

Tani kur Rusia ka filluar një agresion në Ukrainë këta banorë po i përcjellin me vëmendje këto zhvillime.