Fjalë Kyçe

Banorët në Qendrën e Studentëve ndihen të tensionuar pas rastit tragjik të së dielës

Banorët në Qendrën e Studentëve ndihen të tensionuar pas rastit tragjik të së dielës

Qendra e Studentëve u kthye në karantinë me vendim të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e personave të kthyer, pas përhapjes së Coronavirusit.

Ankesa për kushtet dhe trajtimin në këtë qendër nuk pati nga ata që qëndruan aty për dy javë sa edhe zgjatë karantinimi.

Edhe pse situata është menaxhuar mirë, në këtë Qendër të dielën dyshohet se ka bërë vetëvrasje një 26 vjeçar nga Gjilani. Menaxheri i karantinës Valdet Hashani tha se pas rastit të së dielës gjendja në Qendër është e tensionuar në aspektin emocional.

Ai ka kërkuar që ky rast të hetohet deri në fund, madje tha se të gjitha ata që po qëndrojnë në karantinë mund të kërkojnë ndihmë nga vullnetarët.

“Situata në Qendrën Studentore është duke u menaxhuar mirë përjashtuar rastin që ndodhi pardje ku humbi jetën një 26 vjeçar nga Gjilani. Pandemia është çështje globale dhe nuk është qëllimi që qytetarët të cilët gjinden jashtë mos t’i lëmë të kthehen në atdhe. Jemi ndër vendet e rralla që i kemi lejuar të hyjnë me kushtin që të karantinohen”.

“Andaj lusim të gjithë ata që janë brenda që për çfarëdo nevoje që kanë ne kemi ekipin vullnetar të cilët përpos ofrimit të ushqimeve bëjnë edhe plotësimin e formularin për nevojat e mjekëve dhe ne bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë plotësojmë formularin e tyre. Pas rastit që ndodhi gjendja është e tensionuar ne aspektin emocional dhe rasti është nën hetim dhe duhet të hetohet deri në fund”, shtoi ai.

Hashani ka thënë se gjatë së martës pritet të mbërrijnë edhe 150 qytetarë nga Skandinavia në Aeroportin e Prishtinës, kurse me 8 maj pritet të vijnë edhe 120 të tjerë.

Sipas Hashanit, të gjithë ata persona të cilët nuk dëshmojnë me dokumentacion në aeroport mbi problemet që i kanë atëherë karantinohen, ndërsa të tjerët që kanë sëmundje kronike dërgohen në shtëpi.

Hashani tregoi se vetëm gjatë së martës janë testuar 45 persona të cilët në rast se dalin negative me Covid-19, atëherë që të gjithë lirohen për në shtëpi.

“Sot në orën 18 e 15 presim aderimin e aeroplanit nga shtetet skandinave ku do të kemi 150 qytetarë të Kosovës, por nuk do të thotë që të gjithë ata mund të karantinohen, nëse kanë sëmundje kronike dërgohen drejt në shtëpi. Ndërsa të gjithë ata që nuk ë dëshmojnë me dokumentacion ne aeroport mbi problemet që i ka me një fotokopje, atëherë ai karantinohet”.

“Sot i kemi pasur 45 testime për testin Covid-19 dhe nëse këta rezultojnë negativ, atëherë të nesërmen lirohen për në shtëpi. Me 8 maj pritet të vijnë në Kosovë presim edhe një fluturim me 120 persona që vijnë në Kosovë, të cilët do të vijnë këtu”, shtoi Hashani.

Hashani ka thënë se IKSHP-ja ka pesë kategori të personave të cilët lirohen pa arritur ende në karantinë.

Kurse sipas tij, lirimi nga karantina nuk mund të bëhet me mjete private dhe nëse nuk u bëhet testi për Coronavirus, raporton EO.

“IKShP-ja i ka pesë rekomandime ose pesë kategori të njerëzve të cilët lirohen pa arritur ende në karantinë. Fjala është për personat që janë mbi moshën 70 vjeçare, personat të cilët janë me sëmundje kronike dhe që janë të pa menaxhueshme në karantinë. Personat që janë nën 18 vjeç por që nuk kanë përkujdesje shëndetësore gratë shtatzëna, personat që janë të involvuar drejtpërdrejt në luftën e Coronavirusit siç janë mjekët, policët dhe FSK-ja, këto janë kategori të cilat lirohen dhe ata shkojnë nga aeroporti nën përcjelljen e policisë i transportojnë deri në shtëpi”.

“Të gjithë personat të cilët hyjnë në karantinë dhe u vonohet leja për shkak se në ndërkohë i kanë sjellë dokumentacionet, atëherë ne përgatisim dokumentacionin dhe e dërgojmë në ministri të Shëndetësisë dhe zakonisht brenda ditës lëshohet dokumenti për lirimin e tyre. Lirimi i tyre nuk mund të bëhet me mjete private që nuk e kanë bërë testimin pas 14 ditësh, por institucionet e kujdesit parësor obligohen të sjellin autoambulanca dhe njësitë e policisë i transportojnë deri në shtëpi”, shtoi Hashani.