Fjalë Kyçe

Barcelona siguron finalen e Superkupës së Spanjës

Barcelona siguron finalen e Superkupës së Spanjës

Mesfushori Gavi dhe sulmuesi i krahut, Lamine Yamal, kanë shënuar gola të mërkurën në mbrëmje ndaj Athletic Bilbaos.

Dhe me golat e tyre, Barcelona e siguroi finalen e Superkupës së Spanjës, pas fitores 2:0 ndaj Athletic Bilbaos në gjysmëfinalen që u zhvillua në stadiumin “King Abdullah Sports City” në Jeddah të Arabisë Saudite.

Në finale, Barcelona do të luajë me fituesin ndërmjet Real Madridit e Mallorcas që luhet të enjten nga ora 20:00. Finalja zhvillohet më 12 janar.

Gavi në minutën e 17-të e shënoi golin e parë në ndeshje, ndërsa Yamal, me asistim të Gavit, e dyfishoi epërsinë në minutën e 52-të.

Bilbao arriti të shënonte dy gola në fund, por që u anuluan pas rishikimit në VAR.

Për Gavin ishte goli i parë pas 477 ditëve.

Për herë të fundit me Barcelonën, ai kishte shënuar në Ligën e Kampionëve ndaj Antwerpit, më 19 shtator të vitit 2023.

Gavi kishte munguar më pas për kohë të gjatë, shkaku i një lëndimi të rëndë.

Edhe Yamali shënoi pas një kohe të gjatë. Goli i tij i fundit ishte më 26 tetor ndaj Real Madridit.

Athletic Bilbao të mërkurën në Arabinë Saudite e pësoi disfatën e parë pas ecurisë pozitive prej 15 ndeshjeve.