Fjalë Kyçe

Bashkëshortja e identifikon se i vrari në Rinas është Admir Murataj

Bashkëshortja e identifikon se i vrari në Rinas është Admir Murataj

Nuk ka më dyshime, personi që u vra dje pas grabitjes në Rinas është i shumëkërkuari Admir Murataj, truri i grupit edhe në tre grabitje të blindave që transportonin paratë e bankave të nivelit të dytë.

Pasi kanë marrë leje nga policia vëllai dhe bashkëshortja e Admir Muratajt janë drejtuar drejt morgut të Tiranës për të bërë identifikimin e trupit. “BalkanWeb” mëson se pas këqyrjes së trupit të viktimës ajo ka konfirmuar të jetë i shoqi.

Admir Murataj është personi i maskuar si tullac që duket në fotot ekskluzive të siguruara dje nga “BalkanWeb”, nga momenti kur grabitësit e armatosur i janë afruar avionit ku morën 10 milionë eurove në 3-4 minuta, ndërsa në avion ndodheshin 160 pasagjerë që prisnin të udhëtonin drejt Vjenës.

Në pamje duket grabitësi i vrarë, me syze por pa maskë të zezë në fytyrë, jelek të zi dhe pantallona të zeza. Ai ndodhet anash avionit, pranë barkut, ku ndodheshin edhe paratë. Para tij, ndodhet grabitësi tjetër por me uniformë tjetër, ushtarake (uniformë operacionale) teksa me armën e ngritur kërcënon punonjësit. Të dy mbajnë në duar doreza. Po kështu duken edhe bagazhet teksa futen në avion.

Admir Murataj në vitin 2013 u arratis nga burgu i Trikallas në Greqi, ndërsa kërkohet nga drejtësia e vendit fqinj për disa akuza nga vrasje, grabitje, por edhe plagosje. Sipas dosjes greke, Murataj ka përdorur 15 emra të ndryshëm, ndërsa pas burgosjes arriti që të arratiset.

Grupi, “truri” i të cilit ishte Murataj akuzohet se ka kryer të paktën tri grabitje të bujshme bankash dhe në total mund të ketë grabitur 7 milionë euro. Episodi i parë i grabitjes daton më 3 dhjetor të vitit 2015, ku në segmentin Qafë-Kashar-Rinas u grabit me armë një blind që transportonte një shumë të konsiderueshme parash nga një bankë e nivelit të dytë.

Mekanizmi i ngjarjes rezulton të ketë qenë i tillë që, mjeteve të shoqërisë private të ruajtjes dhe sigurisë u është prerë rruga nga një automjet i llojit fuoristradë, i cili është futur nga kryqëzimi i rrugës së fshatit Domje-Laknas në rrugën kryesore, ku në atë moment po kalonin mjetet me sasinë e të hollave.

Episodi i dytë ka ndodhur më 9 shkurt të vitit 2017, po në rrugën e Rinasit, ku grabitja është bërë në të njëjtën mënyrë. Ndërsa grabitja e tretë ka ndodhur më 13 shkurt në një bankë në afërsi të ish-Stacionit të Trenit në Tiranë, ku u vodh një tjetër sasi e konsiderueshme parash.