Fjalë Kyçe

‘Bashkimi i Qytetit’ të Ferizajt rrënon edhe objektin e shoqatave për persona me aftësi të kufizuara

‘Bashkimi i Qytetit’ të Ferizajt rrënon edhe objektin e shoqatave për persona me aftësi të kufizuara

Objekti i shoqatave ‘Hendifer’ dhe ‘Handikos’ planifikohet të rrënohet për ti lejuar hapsirë projektit ‘Bashkimi i Qytetit’, komuna e Ferizajt ende nuk ka siguruar lokacion të ri për këto shoqata që merren me persona me aftësi të kufizuara.

Pas rrënimit të objektit të pensionistëve, tani planifikohet të rrënohet edhe objekti ku janë të vendosura shoqatat e personave me aftësi të kufizuara ‘Hendifer’ dhe ‘Handikos’ për të liruar rrugën për ndërtimin e një rreth rrotullimi si pjesë e projektit ‘Bashkimi i Qytetit’ të Ferizajt.

Kryetarja e shoqatës ‘Hendifer’ Fazile Bungu, për Televizionin Tema kishte theksuar se ata nuk kanë asnjë vendim me shkrim se kur do të rrënohet objekti, sipas Bungut atyre u duhet hapsirë e përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre

“Unë fillimisht nuk e di pse e quajnë ‘Bashkimi i Qytetit’ qyteti është një, nuk është në dy pjesë i ndarë, mirëpo ata kanë vendosur që të rrënojnë këtë objekt, kur do ta rrënojnë nuk e dimë, me shkrim nuk kemi ende asgjë nga Kuvendi Komunal, mirëpo Kuvendi Komunal është shtëpia jonë ku ata vendosin për të gjitha, ata mendojnë se këtu duhet të bëjmë një gjelbërim, ku për qytetarët do të jetë më mirë, mirëpo për antarët tonë është pak më vështirë nëse nuk do të kemi një hapësirë të mjaftueshëme  për të zhvilluar aktivitetet e tyre. Jemi njoftuar gojarisht, mirëpo ende diçka konkrete nuk ka. Ne vetëm kemi dhënë sugjerime që hapësira nën 100 metra katrorë nuk na mjafton dhe asgjë më tepër dhe ata tash e bëjnë përzgjedhjen” thotë Bungu.

Ndërsa, drejtori i Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronës në komunën e Ferizajt, Sabri Murseli për Televizionin Tema kishte theksuar se komuna për momentin e ka të pamundur gjetjen e një lokacioni të ri

“Komuna e Ferizajt veçse i ka njoftuar në disa takime në ditët e kaluara që kanë qenë, kemi provuar të sigurojmë disa lokacione, mirëpo në aspektin e pronës komunale për momentin e kemi të pamundur që t’iu  sigurojmë një lokacion, sepse komuna e Ferizajt nuk ka një vend të caktuar që i përshtatet kategorisë së tyre, kemi bërë përpjekje për disa lokale që janë pronë private, i kemi bërë disa vizita, kemi shikuar lokalet, tani janë duke i monituruar, janë duke i shikuar sa i përshtaten kategorisë që i takojnë” thotë Murseli.

Sipas Drejtorit Murseli zhvendosja e këtyre shoqatave do të jetë e përkohshme, pasi që për ndërtimin e objektit të shoqatës “Hendifer”, do të ndahet një parcelë prej 10 ari afër gjimnazit ‘Kuvendi i Arbërit’.