Fjalë Kyçe

Batatina: Llapi është gati 100 për qind i përgatitur

Batatina: Llapi është gati 100 për qind i përgatitur

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka vlerësuar se skuadra e tij ka ardhur te fitorja e thellë ndaj Dukagjinit me lojë të mirë. Llapi të premten fitoj 4:1 ndaj Dukagjinit në ndeshjen e parë pas rifillimit të edicionit.

Batatina është shprehur i lumtur për rifillim të kampionatit.

“Jam i gëzuar që pas një pushim të gjatë futbolli i Kosovës u rikthye dhe mbi të gjitha asnjëri prej futbollistëve nuk është i prekur. Ka qenë një ndeshje në të cilën është dashur të jemi të vëmendshëm dhe besoj se kemi pasur një paraqitje të mirë. Kemi mundur të shënojmë edhe më shumë gola në pjesën e parë, që të jemi më të qetë në pjesën e dytë. Por pavarësisht kësaj ne patëm lojë të mirë dhe arritëm që në pjesën e dytë të shënojmë edhe tri gola dhe të marrim një fitore të merituar. Jam i lumtur me paraqitjen e ekipit, që mund të them se është gati 100 për qind i përgatitur. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi edhe më shumë për ndeshjet në vazhdim”, ka thënë Batatina.

Trajneri i Dukagjinit, Severin Elezaj ka thënë se humbja e thellë është pasojë e “disa lëshimeve”.

“Patëm një angazhim të mirë. E patëm posedimin e topit, por bëmë disa lëshime që na kushtuan me humbje. Gabimet e tilla nuk falen, por na mbetet të punojmë dhe të përgatitemi për ndeshjet që na presin. Realisht nuk do të shikojmë pozitën tonë, do të përpiqemi të zhvillojmë ndeshje të mira deri në fund. Besoj se do të tregojmë lojëra të mira dhe me angazhim maksimal, për të nxjerrë rezultate pozitive”, ka thënë Elezaj.