“Bayern Munich fillon punën për një revolucion rrënjësor që do të finalizohet gjatë verës së ardhshme. Të parët që do të ndryshojnë janë drejtuesit e klubit.
Uli Henes u rizgjodh të martën si kryetar i bordit supervizor të Bayernit, detyrë që parashikohet ta mbajë deri në vitin 2022.
Pritet që Hënes, të hedhë kandidimin si president për zgjedhjet që do të zhvillohen në nëntorin e ardhshëm. Në fakt askush nuk e vë në dyshim që 66-vjeçari do konfirmohet në këtë detyrë.
Megjithatë, në muajt e ardhshëm Hënes do të ketë shumë punë për të bërë, deri në nëntorin e ardhshëm duhen ndryshime madhore për të justifikuar votën e kërkuar nga anëtarët e bordit.
Në verë do të largohet Arjen Roben dhe me shumë gjasa edhe francezi Frank Riberi, ndaj parashikohet revolucion i madh në ekip, raporton atsh.
Duke folur për “Bild”, Hënes zbulon planet e së ardhshme, “Kur gjithë lojtarët të jenë në formë të plotë fizike, skuadra do jetë e nivelit të lartë për pjesën e dytë të sezonit, duam të fitojmë trofe edhe në këtë sezon. Kjo do të thotë që verën e ardhshme do të punojmë shumë për përforcime dhe do të investojmë, nëse gjejmë lojtarët e duhur në treg”, u shpreh drejtuesi “bavarez”.