Fjalë Kyçe

BE-ja mbledh sonte në një darkë pune liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel

BE-ja mbledh sonte në një darkë pune liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel

Liderët e gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor mblidhen sonte në një darkë pune në selinë e BE-së në Bruksel, me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Nga ana e Bashkimit Evropian në këtë takim marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq në cilësinë e shefit të qeverisë që ka kryesimin e radhës së BE-së si dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell. Nga ana e shteteve të rajonit janë ftuar presidentët, me përjashtim të Shqipërisë të cilën do e përfaqësojë kryeministrim Edi Rama. Nga Kosova në takim merr pjesë presidenti, Hashim Thaçi.

Sipas burimeve brenda BE-së, ky takim është thirrur për të diskutuar për rrugën e vendeve të rajonit drejt përafrimit me BE-në, përgatitjen e samitit të Zagrebit që zhvillohet më 6 dhe 7 maj të këtij viti dhe angazhimin e BE-së për të ndihmuar në tejkalimin e problemeve në rajon.

Bashkimi Evropian e sheh edhe këtë takim si dëshmi se rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe procesi i zgjerimit mbeten prioritetet, përkundër pengesave që janë paraqitur në këtë proces.

Një prej propozimeve për të rritur bashkëpunimin ishte edhe zhvillimi më i shpeshtë i takimeve të përbashkëta në nivele të ndryshme, përfshirë edhe nivelin më të lartë siç është takim i sotëm. Para një muaji në Bruksel ishte zhvilluar edhe një samit i presidentëve të parlamenteve të vendeve të rajonit dhe Parlamentit Evropian.

Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor po shihet përsëri me shqetësim në Bruksel edhe pse ky shqetësim nuk shprehet publikisht. Tensionet në rritje në Mal të Zi, problemet e brendshme në Bosnje e Hercegovinë si dhe mungesa e përparimit në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, së paku në pjesën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, janë shqetësimet kryesore.

Krahas kësaj edhe përpjekjet në BE për të miratuar një vendim për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kishin dështuar në fund të vjeshtës së vitit të kaluar. Por tash, pasi Komisioni Evropian ka miratuar një metodologji të re në procesin e zgjerimit, pritet që edhe vendet si Franca dhe Holanda të heqin kundërshtimin dhe të hapet mundësia për një vendim pozitiv para samitit të Zagrebit.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, i cili edhe do të jetë mikpritës i samitit të Zagrebit, shpreson në një vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut i cili do të krijonte një atmosferë pozitive për samitin e Zagrebit ku do të rikonfirmohej edhe përkushtimi i BE-së për zgjerim e edhe përkushtimi i vendeve të rajonit që të përmbushin kriteret dhe standardet e kërkuara për të avancuar drejt BE-së.

Edhe të hënën, Ballkani Perëndimor do të jetë në agjendë në Bruksel, pasi do të zhvillohet konferenca e donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë që të përballet me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. Ndërsa në takimin e Këshillit të ministrave të Jashtëm, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell do të raportojë për vizitat e tij në Prishtinë dhe Beograd dhe, siç kanë paralajmëruar burimet e BE-së, ai pritet të dalë me idenë për të emëruar një përfaqësues të posaçëm të BE-së, i cili do të merrej me lehtësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Emri më i shpeshtë që përmendet për këtë post është ai i ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak.