Shefi i grupit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, pritet të takohen në Bruksel “në ditët në vijim”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në konferencën e sotshme për media.
Sikur edhe takimet tjera, edhe ky do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe vjen në një kohë kur në veri të vendit janë rritur tensionet për shkak të bllokimit të rrugëve që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
“Presim që ditëve në vijim të takohen shefat e grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.
Ndërkohë agjencia e lajmeve “Tanjug” ka raportuar se takimi pritet të mbahet të mërkurën.
Rrugët janë bllokuar tash e tetë ditë nga serbët, ndërkohë që për sigurinë atje po qëndron Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës.
“Shtensionimi i situatës është fjalë kyç. Kjo që po ndodh aktualisht nuk është mirë as për qytetarët në Kosovë e as ata në Serbi, por as për ata në rajon”, ka thënë Stano.
Në Bruksel pritet të mbërrijë së shpejti edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Serbët kanë bllokuar rrugët pas masës së reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për targat e veturave të Serbisë.
Serbët nuk po e pranojnë këtë masë dhe atyre në krah u kanë dalë edhe autoritetet e Serbisë, të cilat madje në shumë raste kanë kërcënuar edhe me ndërhyrje ushtarake. Së fundi, në kufi me Kosovën kanë vendosur edhe automjete të blinduara të ushtrisë së Serbisë, ndërkohë patrullimi i helikopterëve dhe aeroplanëve serbë është bërë i zakonshëm ditëve të fundit.
Sot në veri të vendit, është shtuar numri i ushtarëve të KFOR-it.