Fjalë Kyçe

Benefitet e deputetëve, LDK e AAK mbrojnë deputetët që morën kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit

Benefitet e deputetëve, LDK e AAK mbrojnë deputetët që morën kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës paguhen rreth pesëmbëdhjetë herë më shumë sesa paga minimale në Kosovë.

Këtu përfshihen edhe paratë që u ndahen për mbulim të shpenzimit të udhëtimit të mbi gjysmës së deputetëve që kanë deklaruar se nuk jetojnë në Prishtinë, raporton RTV Dukagjini.

Publikimi i të dhënave të shpenzimeve për udhëtim të disa deputetëve të Kuvendit kanë nxitur reagime të shumta, duke bërë që deputetët e mazhorancës të heqin dorë të gjithë nga ky beneficion.

Kjo pasi në listën e deputetëve për këto shpenzime ishin edhe disa deputetë të LVV-së që kishin marrë shuma të larta parash si mbulim i shpenzimeve të udhëtimit, ku për disa prej tyre thuhej po ashtu se jetojnë në Prishtinë dhe prapë se prapë kanë marrë paratë për udhëtim.

Shefat e Grupeve Parlamentare të LDK-së dhe AAK-së kanë folur në lidhje me këtë ku kanë mbrojtur deputetët që u janë kompensuar shpenzimet e udhëtimit.

Nga LDK-ja çështjen e heqjes dorë nga benefitet si deputetë e shohin si vendim individual.

Kështu ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

“Është çështje individuale e secilit deputet i cili ka marr kompensime për udhëtimet që i bëjnë jashtë Prishtinës. Ata që i kanë marrë le t’i arsyetojnë, nëse janë të paligjshme le ta marrin përgjegjësinë”, u shpreh Gashi.

Ndërkaq, nga AAK-ja vlerësojnë se një praktikë të tillë i takon Lëvizjes Vetëvendosje ta ndal, pasi është shumicë.

Kështu ka deklaruar shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri për RTV Dukagjinin.

“Deputetët nuk kanë kurrfarë përgjegjësie. Ata e deklarojnë vendbanimin dhe administrata e Kuvendit në mënyrë automatike ua kalkulon shpenzimet. Po më informojnë që janë mbi 60 deputetë që janë kompensuar. Kjo ka qenë praktika ligjore. Nëse vlerësohet edhe mund të ndryshohet”, thotë Tahiri.

Deputeti i LVV-së, Agon Batusha i cili kishte pranuar 570 euro kompensim, ka deklaruar se ndonjëherë banon edhe në Prishtinë.

“Në Gjakovë banoj, jetoj, udhëtoj. Të rralla janë netët që fle në Prishtinë, sepse atje jetojnë dy vëllezërit dhe të rralla janë netët që fle atje dhe 90 për qind të rasteve udhëtoj”, ka deklaruar Batusha për RTV Dukagjinin.

Kurse, monitoruesi i punës së Kuvendit nga KDI, Eugen Cakolli ka thënë se është e paarsyeshme të kompensohen deputetët për transport.

“E në anën tjetër, kemi shumicën e mbledhjeve si të seancave si të komisioneve, ku pjesa dërrmuese e pikave të rendit të së cilave po dështojnë në mungesë të kuorumit. Pra, kjo e bën të papranueshme këtë situatë”, u shpreh Cakolli.

Ai ka kërkuar që në mbledhjen e radhës kryesia të ndryshojë vendimin e vitit 2011, për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve.