Fjalë Kyçe

Beogradi do të kërkojë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Beogradi do të kërkojë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Ministria e Jashtme e Serbisë tha të premten se vendi do të kërkojë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pasi Prishtina vendosi të transformojë Forcat e saj të Sigurisë në një ushtri “në kundërshtim me Rezolutën 1244” të miratuar në 1999 pas luftës, njofton agjensia e lajmeve Beta, transmeton GazetaAlo.

Qeveria e Serbisë e dënoi Prishtinën për transformimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës (FSK) në ushtri dhe tha se vendimi rëndom nuk mori parasysh parimet e së drejtës ndërkombëtare.

“Vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën (e Kosovës) e shkruar dhe e miratuar nga Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse në Prishtinë, e cila është absurde dhe provë se nuk i respekton normat e saj, e më tepër ato ndërkombëtare”, tha Ministria e Jashtme e Serbisë në një deklaratë për mediat në Serbi.

Deklarata shtoi se qeveria dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç “po monitorojnë me kujdes situatën në Kosovë”.

Parlamenti në Prishtinë miratoi ligje që mundësuan transformimin e FSK-së në ushtri, pa ndryshuar emrin, por me të gjitha atributet tjera ushtarake, pavarësisht paralajmërimit të NATO-s se nuk ishte koha e duhur për këtë veprim.

Beogradi thotë se qëllimi i formimit të ushtrisë ishte të trembë serbët e mbetur dhe t’i detyrojë ata të largohen nga Kosova. Serbia gjithashtu thotë se do të mbrojë popullin e saj atje, duke shtuar se nuk do të donte ta bënte këtë me forcë, por i referohej ushtrisë si një forcë pushtuese./GazetaAlo/