Fjalë Kyçe

Beqiri: Ne e votojmë Ushtrinë, përgjegjësinë ta marrin bartësit e institucioneve

Beqiri: Ne e votojmë Ushtrinë, përgjegjësinë ta marrin bartësit e institucioneve

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se qëndrimet e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, lidhur me transformimin e FSK-së në Ushtri janë shqetësuese.

Ai thotë se deklarimet e tilla nga zyrtarë të lartë të NATO-s, po dëshmojnë se puna për formimin e Ushtrisë nuk është bërë në koordinim të plotë me ta.

Megjithatë Beqiri thotë se partia e tij do të votojë për krijimin e Ushtrisë në seancën e 14 dhjetorit, por shton se përgjegjësinë për atë se çfarë do të ndodh më pas, duhet ta mbajnë krerët e institucioneve.

“Deklaratat që tashmë po i dëgjojmë, me të vërtetë nuk mund të qëndrojmë imun ndaj këtyre deklaratave dhe janë bukur shqetësuese, sepse po del që nuk ka pasur një koordinim të tillë. Dhe jemi në një situatë jo të mirë. Përgjegjësinë se çfarë do të ndodh më vonë, do ta bartin ata që na vënë në një pozitë të tillë të palakueshme, të rrezikimit të raporteve me miqtë tonë ndërkombëtar”, ka thënë Beqiri në një prononcim për Gazetën Express.

Ai thotë se do të jetë e pamundur që të ketë sukses krijimi i Ushtrisë së Republikës së Kosovës, nëse një gjë e tillë bëhet pa koordinim të plotë dhe pa mbështetje të NATO-s.

“Për ne është e rëndësishme se çfarë do të ndodh me pas, a do të jetësohen dhe a do të përkrahen. Ky është shqetësimi si LDK dhe si deputet. Në rastin konkret është një situatë tepër e ndjeshme. Ne i kemi marrë me shumë shqetësim këto deklarime te djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, dhe telefonatën e sotme. Kjo punë është bukur e shtirë, dhe është e pamundur të ketë sukses, u votuan apo s’u votuan këto projektligje, pa mbështetjen e NATO-s”, ka shtuar ndër të tjera zyrtari i lartë i LDK-së.

Beqiri thotë se Ushtria duhet të formohet patjetër, por shton se faturën për pasojat e më vonshme duhet ta paguajnë ata që po i japin dekorata vetes për punë ende të pakryera.

“Ushtria duhet të formohet, nuk ka asnjë dilemë për këtë, por kjo duhet të bëhet në koordinim me miqtë tanë. E këtë përgjegjësi, pa dashtë me e ik ne përgjegjësisë, këtë përgjegjësi duhet të marrin ata që janë në krye të institucioneve, ne si deputet përgjegjësi e kemi që nëse vijnë me i votua këto ligje, por ndëshkimin për atë që mund të na ndodh, gjithsesi kjo faturë duhet t’iu shkojë atyre që po flasin se e kanë kryer këtë punë dhe se s’ka probleme, dhe atyre që po dëshirojnë me i qitë dekorata vetes për punë të pa kryere dhe të lëna në gjysmë”, është shprehur deputeti i LDK-së.

Beqiri e konsideron si joserioze garën që po bëhet për marrjen e meritave për çështjet madhore, siç është puna e Ushtrisë, dhe thotë se për këtë gjë dikush duhet të jap përgjegjësi.

“Tash po do me na dalë edhe problemi me ushtrinë, dhe dikush duhet të marrë përgjegjësi. Sepse fillojë një farë gare se kush do t’i marrë meritat për INTERPOL, viza e Ushtri, e kush po e pengon Ushtrinë, që ia patën atribuuar LDK-së. E uroj që të mos kemi telashe, sepse ushtria gjithsesi do të bëhet, por se a do të na ndihmojnë a po jo lejojnë tash a po ma vonë, kjo është çështje tjetër, Por kjo tregon një qasje joserioze të të gjithë atyre që e kanë pasur përgjegjësinë për këtë punë”, potencon Beqiri.

Sot Sekreatari i NATO-s, Jens Stoltenerg, ka telefonuar kryeministrin Ramush Haradinaj, të cilit ia ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e NATO-s, kundër nismës për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.

“Me Haradinajn diskutuam edhe për planin që të ecet përpara me transformimin e FSK-së në ushtri. Unë e theksova se një veprim i tillë është i paarsyeshëm dhe është kundër rekomandimeve të shumë aleatëve të NATO-s, dhe mund të ketë pasojë negative për perspektivën e Kosovës për integrim euroatlantik”, ka thënë sekretari gjeneral i NATO-së në një shkresë zyrtare të publikuar në faqen e NATO-s.