Fjalë Kyçe

Beqiri optimist se marrëveshja me VV-në do të ndodhë, thotë se dikush duhet të lëshojë rrugë

Beqiri optimist se marrëveshja me VV-në do të ndodhë, thotë se dikush duhet të lëshojë rrugë

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se nuk kanë qenë të informuar se Kurti do të kërkojë seancën për votimin e kabinetit qeverisës më 3 shkurt.

Ai ka thënë se janë bërë njëjtë me befasitë e Kurtit, ndonëse thotë se obligim kushtetues i tij është thirrja e seancës.

Ai thotë se marrëveshja politike nuk e sakrifikon dikë por dikush duhet të lëshojë rrugë.

Beqiri në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është optimist dhe duhet bërë më e mira për t’u arritur koalicioni mes dy partive.

Ai tutje ka shtuar se beson që as në Vetëvendosje nuk mungon vullneti për arritjen e koalicionit.

“Do të doja që nga këto deklarime tona të arrihet një frymë e përafrimit dhe jo e ndasisë. Ne jemi rival politik por mirëbesimi është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Ne duhet ta ruajmë dinjiteti e LDK-së gjithashtu edhe atë të VV-së. Ne e pranojmë që VV-ja e ka të drejtën ta ketë kryeministrin, por zgjedhjet e 6 tetorit e kanë prodhuar vetëm një rezultat, d.m.th Vetëvendosjes ia kanë dhënë mandatarin, pjesa tjetër është pjesë e marrëveshjes”, ka thënë ai.

Sipas tij edhe nëse do të kishte diferencë më të madhe të votave përsëri do të duhej të uleshin për të gjetur një zgjidhje.

Ai thotë se gjatë këtij rrugëtimi nuk është dashur të shikohet se sa oferta janë bërë, pasi sipas tij, ka mundur të kryhet edhe me dy oferta.

Beqiri thotë se për LDK-në është shumë e rëndësishme që dy subjektet të përfaqësoheshin jo krejt barabartë, por shton se oferta e tyre është e drejtë.

Kryeministri i vendit është posti kryesor thotë ai, duke shtuar se beson që do të ketë reflektim dhe do ta kenë parasysh ofertën e fundi të LDK-së për të cilën thotë se nuk është “merre ose lëre”.

“Vetë ulja e LDK-së për t’u ulur me Vetëvendosjen është një kurajo e mirë, duke marrë parasysh të kaluarën. Unë nuk po them që nuk është bërë koalicioni me PDK-në por edhe shembulli me VV-në nuk është i mirë”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK-ja është e gatshme që deri në zgjedhjen e presidentit ta kenë pozitën e kryeparlamentarit e pastaj atë pozitë ta dorëzojnë tek VV-ja.

Beqiri thotë se LDK-ja ka gatishmërinë, vullnetin dhe përkushtimin që marrëveshja të ndodhë.

Sipas tij rrugët nuk janë mbyllur dhe ka ende hapësirë dhe vend për bashkëqeverisje.

“Ne jemi të vetëdijshëm që momentin që zgjidhet presidenti, duhet të jep dorëheqje kryeparlamentari i LDK-së. Ky ka qenë minimumi i një kërkese tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, figurë unifikuese si president ishte i vetmi Ibrahim Rugova.

I bindur shprehet Beqiri teksa thotë se figura e cila do të propozohet për president nga partia e tij, do të jetë unifikuese.

Ndërkaq përsërit deklaratat se kryeministri i Vetëvendosjes kalon nga zyrat e LDK-së, siç thotë se njëjtë do të ndodhte edhe me kandidatin për kryeministër nga LDK-ja.

Ai thotë se VV-ja nuk ka përvojë në negociata dhe të njëjtit do të mësohen, duke shtuar se dëshiron të besoj se nuk kanë qenë me hile.