Fjalë Kyçe

Beqiri: Tash është ndryshe, me asnjë kusht s’hyjmë në koalicion me PDK-në

Beqiri: Tash është ndryshe, me asnjë kusht s’hyjmë në koalicion me PDK-në

I shumëkritikuari për ndryshim qëndrimesh për bashkëpunim me PDK-në, Ismet Beqiri i LDK-së ka thënë se tash situata është ndryshe dhe “me asnjë kusht s’do të ketë koalicion paszgjedor LDK-PDK”.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se në të shkuarën kishte qenë kundër bashkëpunimeve me PDK-në, por kishte respektuar vendimin e partisë.

Për zgjedhjet e 6 tetorit, Beqiri ka thënë se janë situatë tjetër “sepse tash partia ka vendosur se s’do të ketë koalicion as para e as pas zgjedhjeve”.

“Kam qenë edhe atë kohë zë kundër, por partia ka pranuar dhe kam respektuar. E kam kundërshtuar dhe po them ka vendosur partia dhe ka ndodhur si ka ndodhur. Por tash, pos që e kundërshtoj unë, me bindje të plotë them se një e keqe e tillë me asnjë kusht s’mund t’i ndodhë LDK-së më. Ka vendim të partisë që as para e as pas zgjedhjeve s’ka koalicion me PDK-në. S’ka vullnet as nga kryetari Mustafa, e as nga ne. S’besoj as me gisht të dorës mund të numërosh njerëz që janë pro”, ka thënë ai.