Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëkohësisht i mandatuar për formimin e qeverisë ka takuar sot komunitetet romë, ashkali dhe egjiptias.
Pas këtij takimi me Kurtin, për mediat ka folur deputeti i komunitetit egjiptias, Veton Berisha.
Ai për mediat është shprehur se vetëm një ministri për komunitetet është pak, dhe se ndihen keq që ka ndodhur kjo.
Ai është shprehur se nëse rritet numri i ministrive, nuk do të thotë që patjetër ajo ministri t’u takojë serbëve.
“Jemi kategorik të ketë qeveri stabile, deputet të mjaftueshëm, megjithatë është kufizimi në 12 ministri dhe duke qenë shumë partnerë ne minoritetet e ka zbehur mundësinë që ne të presim diçka të mirë. Sepse vetëm një ministri është pak. Jemi ndi të tillë që ndoshta është për shkakun tonë. Është në dorë të Kurtit që komuniteti RAE të merr përgjegjësi. Ne nuk jemi vetëm deputetë të komuniteteve siç është paraqitur se gjithësesi shkojmë në qeveri, ne duhet t’i përgjigjemi 7000 votave të votuesve tanë. Nuk do të pengojmë eventualisht, por mbështetja jonë mbetet të shihet. Kërkesa ka qenë nga fillimi që të drejtojmë ministri, të ndërrohet standardi i vendosur që 20 vite dhe të ndryshohet ky standard dhe komuniteti RAE ka nevojë të ketë një përfaqësim, në kuptimin që gjendja jonë ndryshon nëse kemi vendimmarrje në qeveri dhe çfarëdo çështje që ngritet kemi mundësi me ndërhy. Ne po kërkojmë të ofrojmë shërbime dhe jo vetëm të marrim. Ministri i 13 nuk thuhet se duhet t’i takojë decidivisht komunitetit serb, por komuniteteve jo-shumicë, nuk është obligim kushtetues t’i takojë Listës Serbe, e kemi diskutuar dhe normalisht për një qeveri në ardhje duhen votat, por edhe parimet e tjera. Kurti ka vullnet të plotë të bëjë gjëra të mira për komunitetet tona, besojmë që ai mund ta bëjë, por jemi skeptik që nëse nuk jemi pjesë e vendimmarrjes që ai mund të bëjë diçka më tepër”.