Fjalë Kyçe

Bërnabiq kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqje të taksave

“Beogradi do të vazhdojë dialogun për normalizim afatgjatë të marrëdhënieve me Kosovën, por pasi të hiqen taksat, ka deklaruar kryeministrja serbe Ana Bërnabiq.

“Derisa qëndron vendimi jocivilizues mbi taksat prej 100 për qind, nuk mund të vazhdojmë dialogun. Duam që të hiqen ato e pastaj të vazhdojmë dialogun mbi normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve”, ka theksuar Bërnabiq në një konferencë për gazetarë, duke u përgjigjur në pyetje se a do të vijë së shpejti deri te marrëveshja përfundimtare në mes të Serbisë dhe Kosovës, dhe se a do ta nënshkruaj dikush nga Serbia dokumentin në të cilin ekziston formulimi se Serbia e njehë Kosovën si shtet të pavarur.

Bërnabiq ka thënë se “Beogradi ka mbetur në tryezë të negociatave pas shumë provokimeve të Prishtinës, mirëpo, pa heqjen e taksave nuk do të vazhdohet dialogu”.

Kryeministrja  e Serbisë ka thënë se Kosova gati gjashtë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit nuk ka bërë asgjë për t’i përmbushur dispozitat e saj, dhe nuk e ka formuar asociacionin e komunave me shumicë serbe, mirëpo, megjithatë Serbia ka mbetur në tryezën e negociatave.

Ajo ka shtuar se nuk ka pasur as reagime nga Beogradi pas “terrorit ndaj njerëzve në Mitrovicë dhe arrestimit të Marko Gjuriqit”.

“Mirëpo, nuk do të vazhdojë dialogu derisa janë në fuqi taksat ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe ka përsëritur se e vetmja mënyrë që të vazhdojë dialogu është shfuqizimi i tyre”.