Fjalë Kyçe

Bildt: Kurti bëri hap të mirë, radhën e ka Serbia

Bildt: Kurti bëri hap të mirë, radhën e ka Serbia

Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, po e konsideron si hap të mirë vendimin e djeshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të hequr pjesërisht taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.

Bild përmes një reagimi në llogarinë e tij zyrtare në twitter, ka thënë se nuk do të ishte keq që edhe Serbia të ndërmarr tashmë hapa, sigurisht siç potencon ai në shërbim të rinisjes së dialogut.

Tutje Bildt ka ftuar Bashkimin Evropian që të jetë i gatshëm për të ndërhyrë dhe për të ndihmuar.

“Një hap i mirë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sigurisht që nuk do të bënte keq një hap nga Serbia, për të filluar një dialog të ri. Dhe Bashkimi Evropian duhet të jetë i gatshëm të ndërhyjë dhe të ndihmojë”, ka shkruar Bildt.

https://twitter.com/carlbildt/status/1233403465763872769

Përveç Bildt, mbështetje për vendimin e djeshëm të Albin Kurtit ka dhënë dhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Nga zyra e Borell kanë thënë se e mbështesin një vendim të tillë dhe presin të shohin hapat e tjerë.

Gjithashtu veprimi është mirëpritur edhe nga Italia. Ambasadori italian në Prishtinë, Nicola Orlando, ka thënë se pajtohen plotësisht me qëndrimin e BE’së, duke shtuar se shteti i tij inkurajon palët për rinisje të dialogut sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se për një gjë të tillë janë të gatshëm edhe të ndihmojnë.

Megjithatë vendimi i djeshëm i Kurtit për të larguar taksën fillimisht për produktet bazë nga Serbia nuk po i pëlqen emisarit të Donald Trump, Richard Grenell. Ai ka thënë se nuk e mbështesin një vendim të tillë duke kërkuar heqje të plotë të taksës pa asnjë kushtëzim. Ndërkohë ka thënë se Kurti po bën një gabim të madh.