Fjalë Kyçe

Bislimi e cilëson 14 dhjetorin ditë të rëndësishme evropiane për Kosovën

Bislimi e cilëson 14 dhjetorin ditë të rëndësishme evropiane për Kosovën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pasi Presidenca e Këshillit dhe Parlamenti Evropian të mërkurën kanë arritur marrëveshje për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

Bislimi e ka cilësuar 14 dhjetorin ditë të rëndësishme evropiane për Kosovën, pasi në po të njëjtën ditë është nënshkruar aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Dakordimi, i cili do të kalojë në hapat e mëtejshëm procedural para hyrjes në fuqi, do t’u mundësojë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të udhëtojnë drejt BE-së pa viza, më së largu me 1 janar 2024, për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh brenda çdo periudhe 180 ditore. Liberalizimi i vizave është një arritje në integrimin evropian të Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme evropiane për vendin tonë, pas edhe nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ai më tej falënderoi Presidencën Çeke të Këshillit të BE-së, për përkushtimin gjatë presidencës së tyre në këtë proces.

“Gjithashtu dhe grupin parlamentar të social-demokratëve, të cilët mirëpritën dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”, shtoi ai.

Teksti i rënë dakord tani duhet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian përpara se të kalojë procedurën formale të miratimit, njofton Komisioni Evropian.

Rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.