Fjalë Kyçe

Bislimi e Petkoviq në Bruksel, pritet finalizimi i ujdisë për targat

Bislimi e Petkoviq në Bruksel, pritet finalizimi i ujdisë për targat

Në Bruksel sot do të zhvillohen takime mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq do të tentojnë të gjejnë një zgjidhje për targat e automjeteve, energjinë në veri të vendit dhe personat e zhdukur, njofton Klankosova.tv.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës që pati në Berlin javën e kaluar me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, tha se shpreson që Kosova e Serbia do të arrijnë ujdi për disa çështje.

“Më 13 maj unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhje reciproke për targat, edhe për çështjen e mospagesës së energjisë në veri të Kosovës, e po ashtu edhe për nevojën për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturave, të të zhdukurve me dhunë”, pati thënë Kurti.

Ndërsa kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pati thënë se më 13 maj pret që mbase të ketë marrëveshje për diçka, pa specifikuar asgjë.

Kujtojmë se pala kosovare dhe ajo serbe nuk patën arritur pajtueshmëri për një zgjidhje afatgjate rreth çështjes së targave edhe pse ka skaduar mandati prej gjashtë muajsh për grupet punuesit që të arrinin një marrëveshje.

Pas takimit të fundit, BE-ja pati dalë me një deklaratë që derisa të mos ketë marrëveshje të reja, regjimi me letra ngjitëse do të vazhdojë të zbatohet.