Fjalë Kyçe

Bislimi: Në qeverisjen tonë u shënua numri më i madh i të punësuarve

Bislimi: Në qeverisjen tonë u shënua numri më i madh i të punësuarve

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka thënë se tri prioritetet e para të Qeverisë Kurti kanë qenë ballafaqimi me pandeminë COVID-19, sundimi i ligjit dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

Numri dy i ekzekutivit tha po ashtu se në qeverisjen e tyre kanë arritur shtimin e punësimit në vend.

“Kemi qenë të suksesshëm në arritjen e këtyre objektivave edhe sa i përket vaksinimit të qytetarëve, derisa për herë të parë në trendin e rritjes ekonomike Kosova do të shënojë rritje ekonomike dyshifrore. Sa i përket punësimit në qeverisjen tonë është numri më i madh i të punësuarve (9300) më i lartë prej që ka ardhur Qeveria Kurti”.

Këto komente zëvendëskryeministri Bislimi i ka bërë sot gjatë një diskutimi me temë “Dialogun Publik-Privat”, pjesë e projektit “Studimi i Konkurrueshmërisë së Kosovës”, i cili bashkë-financohet nga Agjencioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA) dhe Fondacioni MDA.

Ambasadorja e Suedisë në Kosovës Karin Hernmarck Ahliny me këtë rast tha se mbetet përkushtim i tyre për ta ndihmuar Kosovën në çështjet e mjedisit dhe për zhvillim ekonomik.

Projekti “Studimi i Konkurrueshmërisë së Kosovës” synon të lehtësojë dialogun e sektorit publiko-privat në zhvillimin ekonomik dhe edukim duke u bazuar në të dhëna.

Qëllimi përfundimtar është rritja e konkurrushmërisë ekonomike të Kosovës në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2040. Një prej aktiviteteve kryesore të projektit ka qenë organizimi i dialogut privat-publik në shtatë regjionet e Kosovës.