Fjalë Kyçe

Boiken Abazi tregon se a do të marrë pjesë Vetëvendosje në zgjedhjet e Shqipërisë

Boiken Abazi tregon se a do të marrë pjesë Vetëvendosje në zgjedhjet e Shqipërisë

Boiken Abazi nga VV’ja e Tiranës, shpjegon për Gazetën Express, nëse do të garojë Vetëvendosje në zgjedhjet e Shqipërisë dhe cila është rrjedha që do të ndjekë Lëvizja në Shqipëri.

Lëvizja Vetëvendosje sot gjatë ditës është regjistruar edhe në Shqipëri. Në bordin e kësaj partie anëtarët janë të gjithë nënshtetas të Shqipërisë ndër ta edhe themelues të Lëvizjes në Kosovë.

Boiken Abazi, Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë në VV, ka thënë për Gazetën Express se ky subjekt politik, në Shqipëri ka për qëllim që të jetë vetëm një organizatë e shoqërisë civile.

“Ne kemi sot për synim të regjistrohemi e të veprojmë në Republikën e Shqipërisë si organizatë e shoqërisë civile, e cila krijon ura lidhëse mes aktorëve të ndryshëm të shoqërisë civile Shqipëri-Kosovë, e më gjerë”, ka thënë Abazi.

Një nga zyrtarët e lartë Vetëvendosje ka treguar se nisma e VV’së në Tiranë është pak a shumë e njëjtë me atë që ka pasur në fillin e saj në Kosovë; pra, s’do të ketë qëllime elektorale.

“Nuk kemi synime elektorale në Republikën e Shqipërisë. Kemi si qëllim të mbështesim ushtrimin e së drejtës për vetëvendosje të kombit shqiptar për bashkim kombëtar, duke insistuar në vlerat e demokracisë për një model ekonomik të bazuar mbi prodhimin e punësimin, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, shfrytëzimin e burimeve natyrore të shqiptarëve për zhvillimin e vendit, të drejtat e grave dhe demokracinë direkte dhe pjesëmarrëse, etj. Ne do të angazhohemi për njohjen dhe bashkërendimin mes njerëzve që e dinë se procesi i integrimit nis së pari me atë të shqiptarëve”, ka thënë tutje Abazi.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca që bën pjesë edhe në degën në Tiranë duke folur për Gazetën Express ka bërë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që VV të marrë pjesë në zgjedhjet në shtetin shqiptar.

“Po është e vërtetë që e kemi regjistruar Lëvizjen në Shqipëri. Por, është herët të flasim për pjesëmarrje në zgjedhje atje. Sidoqoftë, një opsion i tillë në një periudhë afatmesme të veprimtarisë nuk përjashtohet”, është deklaruar Konjufca.

Sipas njoftimit të bërë sot gjatë ditës, anëtarët e Bordit të kësaj organizate, të gjithë nënshtetas të Republikës së Shqipërisë, janë duke pritur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendimin në lidhje me regjistrimin e kësaj Qendre brenda afateve ligjore.