Ka përfunduar në barazim pa gola sfida e fundit e javës së 16 të Serisë A, e zhvilluar mbrëmjen e sotme në “Dall’Ara”, mes Bolognës dhe Milanit, që drejtohet nga dy ish futbollistë kuqezi, Philippo Inzaghi dhe Genaro Gattuso.
Ndonëse asnjë nga skuadrat nuk arriti të shtyjë topin në rrjetë, vlen të theksohet se sfida ishte mjaft interesante dhe me raste shënimi nga të dy ekipet, veçanërisht në 10 minutat e fundit të takimit.
Barazimi pa gola ishte një rezultat që i shkon më shumë për shtat Bolognës, pasi e ardhmja e Inzaghit ishte në dyshim dhe një humbje sot ndaj Milanit, mund t’i kushtonte shtrenjtë ish sulmuesit italian.
Nga ana tjetër Milani humb një mundësi të mirë për t’u larguar nga ndjekësit dhe për të konsoliduar pozitat në zonën Champions. Vlen të përmendet se Milani luajti me 10 futbollistë nga minuta e 76’, pasi Bakayoko u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa telashet për Gattuson u shtuan pak minuta më vonë, kur edhe Kessie u ndëshkua me karton të verdhë.
Kjo pasi tashmë për sfidën e ardhshme të Milanit në kampionat, atë kundër Fiorentinës më datën 22 Dhjetor, Gattuso duhet të bëjë llogaritë pa Bakayokon dhe Kessien, dy nga të paktët mesfushorë që i kanë mbetur në dispozicion.