Fituesi i 8 medaljeve të arta olimpike, legjenda e sportit të mbretëreshës, njeriu më i shpejtë në botë, ish-sprinteri xhamajkan Usain Bolt, ka vendosur të heqë dorë nga ideja për t’u bërë futbollist. Ëndrra e tij për të luajtur në fushat e gjelbërta ka zgjatur vetëm një vit e gjysmë.
Që nga dita kur vendosi të tërhiqet nga sporti i atletikës (gusht 2017, pas Botërorit), ku dhe është një ikonë, rekordmen bote në 100 e 200 metra, Bolt shpresonte që të niste një tjetër aventurë të suksesshme, këtë herë në sportin e futbollit. Por nuk ia doli dot mbanë.
Bolt zhvilloi disa seanca stërvitore me Borussia Dortmund apo me ekipin e tij të zemrës të Manchester United si dhe një fazë përgatitore 2-mujore me ekipin australian të Central Coast Mariners. Madje luajti edhe dy miqësore me këtë të fundit, duke realizuar 2 gola në njërën nga takimet. Dhe kaq.
“Për aq kohë sa zgjati kjo ëndërr ishte e bukur. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, u argëtova duke qenë pjesë e një ekipi futbolli, një përvojë krejt ndryshe nga atletika”, tha Bolt për agjensinë e lajmeve “Reuters”.
Bolt me fanellen e Central Coast Mariners
“Gjithmonë besoja se do t’ia dilja mbanë, por ndoshta nuk e nisa këtë rrugë si futbollist në mënyrën e duhur. E mësova këtë leksion”, u shpreh Bolt, që jo vetëm ka hequr dorë nga futbolli, por nga çdo sport.
“Jeta ime sportive mbyllet përfundimisht këtu. Tani jam adresuar në gjëra të tjera, në aktivitete të tjera profesionale. Kam shumë projekte, do të bëhem një njeri që merret me biznes, një biznesmen”, u shpreh Usain Bolt.