Leonardo Bonucci ka pranuar se nuk ishte vetvetja te Milan, por ka siguruar se ajo eksperiencë e ka bërë më të matur dhe shpreson që Gonzalo Higuain të rikthehet një nga më të mirët në botë.
Bonucci kaloi vetëm një sezon te Milan, përpara se të rikthehej tek Juventus verën e kaluar, ndërsa Higuain i është bashkuar Chelsea-t të mërkurën pas një periudhe të shkurtër në San Siro.
“Jam më i pjekur tani, më racional kur marr vendime,” shprehet lojtari për Sky Sport.
“Jeta të sjell eksperienca që të rrisin, i kam përjetuar shumë ato momente, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
“Sot mund të them se jam një njeri më i mirë ose të paktën ndryshe nga se ç’kam qenë në të shkuarën. Bonucci te Milan nuk ishte Bonucci i vërtetë.
“E shkuara nuk ka shumë rëndësi nëse nuk të mëson për t’u bërë një njeri më i mirë, kështu që le të shohim përpara dhe të përgatitemi mirë për sfidat që na presin.
“Higuain? Ai është një mik. Duket mirë dhe shpresoj që të rikthehet një nga sulmuesit më të frikshëm në botë.”