Fjalë Kyçe

Borell: Rasti i Kosovës dhe Katalonjës nuk është i krahasueshëm

Borell: Rasti i Kosovës dhe Katalonjës nuk është i krahasueshëm

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Josep Borell deklaroi në Beograd se rasti i Kosovës dhe ai i Katalonjës nuk është i krahasueshëm sepse siç tha ai, të dyja situatat nuk kanë lidhje me njëra tjetrën.

“Këto dy situata nuk kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën. Ajo që ndodhi në Kosovë nuk ka të bëjë fare me gjendjen e Katalonjës” tha ministri i Jashtëm spanjoll i pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse është çështja e Katalonjës arsye pse Spanja nuk e njeh Kosovën.

Pas bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, shefi i diplomacisë spanjolle tha se vendi i tij, kundërshton pavarësinë e Kosovës por edhe kërkon zgjidhje kompromisi në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

“I përsëritëm presidentit dhe ministrit të Jashtëm qëndrimin e Spanjës për mospranimin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë mendojmë se vetëm përmes dialogut mund të vie deri te një zgjidhje e kompromisit në këtë çështje” tha Borel në një konferencë për media.

Nga kabineti i presidentit Vuçiq është njoftuar se gjatë takimit ai ka thënë se Serbia sillet me përgjegjësi sepse ka përmbushur të gjitha obligimet nga marrëveshjet e Brukselit.

“Prishtina në ndërkohë me platformën e dialogut ka treguar se është kundër dialogut” ka thënë Vuçiq.
Në njoftim thuhet se Borel, i cili po qëndron për vizitë në Serbi, ka thënë se njohja e Kosovës është e papranueshme pasi “është kundër të drejtës ndërkombëtare”.