Fjalë Kyçe

Borrell: Darka tradicionale me Ballkanin Perëndimor na shërben të diskutojmë hapur sfidat

Borrell: Darka tradicionale me Ballkanin Perëndimor na shërben të diskutojmë hapur sfidat

Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme Siguri, Josep Borrell, për darkën e shtruar mbrëmë për udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se ka shërbyer për të folur haptas për sfidat e vërteta që ka rajoni.

Ai ka thënë se kjo darkë është një traditë e rregullt joformale për të shkëmbyer çështjet e rajonit me përfaqësuesit e rajonit dhe se këtë traditë do ta ringjallë, njofton Klan Kosova.

“Ne duhet të hedhim një vështrim në peizazhin e gjerë politik të rajonit. Jo vetëm nga pikëpamja e aderimit, e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por nga qasja gjeopolitike e gjithë rajonit”.
Borrell ka thënë se një takim të ngjashëm me ministrat e Jashtëm të BE-së patën edhe javën e kaluar, por për dallim prej atij të së hënës, ai ishte zyrtar.

“Ne e konsideruam Ballkanin Perëndimor si një nga prioritetet e Bashkimit Europian dhe ranë dakord për të rritur angazhimin ndaj rajonit. Kjo është diçka që për këdo që e kupton dinamikën e rajonit është e padiskutueshme, por ne duhet ta bëjmë atë më të theksueshme. Dhe sot në këtë darkë me gjashtë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do ta bëjmë më të dukshëm”.

Borrell ka shtuar se qëllimi kryesor i BE-së është që të kontaktojnë partnerët rajonalë për të dëgjuar pikëpamjet e tyre, të kuptojnë shqetësimet e tyre, të kuptojnë idetë e tyre dhe të reflektojnë së bashku se si mund të punohet më mirë së bashku për të ardhmen e përbashkët.

“Shpresoj që ky shkëmbim të na ndihmojë të kuptojmë më mirë dinamikën e rajonit dhe – siç thashë – se si mund të punojmë së bashku për të trajtuar këto sfida më të gjera gjeopolitike me të cilat ato përballen sot”.