Fjalë Kyçe

Borrell: Dialogu jo i lehtë, por i domosdoshëm

Borrell: Dialogu jo i lehtë, por i domosdoshëm

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, pak para takimit Kosovë-Serbi në Bruksel, ka thënë se e di që dialogu s’është i lehtë, por e ka parë si të domosdoshëm për të ardhmen e dy vendeve. Ai është shprehur i lumtur që takimi po mbahet në të njëjtën kohë kur presidenti amerikan, Joe Biden po viziton Evropën.

“Sot bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçakun, do të organizojmë një takim të ri të nivelit të lartë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Jam i lumtur që po ndodh në të njëjtën kohë kur BE-ja takohet me presidentin amerikan Joe Biden. Është kënaqësi të pres në Bruksel, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurit, jo larg pas takimeve të shkuara. Inkurajoj të dy palët të vazhdojnë dialogun pa vonesa e të fokusohen në rezultate pavarësisht të gjitha vështirësive. Dialogu s’do të jetë i lehtë, por procesi është i domosdoshëm për popujt e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai në konferencën para takimit.

“Dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt të ardhmes evropiane. Në të njëjtën kohë, ka sjellë rezultate të rëndësishme për popujt. BE-ja dhe unë jemi të interesuar të shohim progres të shpejtë e të lëmë të kaluarën prapa, të arrijmë marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe të bëjmë të ardhmen evropiane një realitet. Është momentum i ri dhe duhet ta shfrytëzojmë. Është momentum i ri në BE për të Ballkanin Perëndimor. Është mundësi për të gjithë rajonin. Jo vetëm për Kosovën e Serbinë sepse marrëveshja mes tyre është në të mirë të stabilitetit të përgjithshëm rajonal”, ka shtuar ai.

Pas konferencës hyrëse, Borrelli pritet të ketë takim me kryeministrin Kurti dhe më pas me presidentin e Serbisë, Vuçiq, para se më vonë të mbajë një takim trepalësh.