Juventus kundër Inter. Allegri kundër Spalletit. Ronaldo përballë Icardit. Angelli kundër Zhang. Milano zikaltër përallë Torinos bardhezi.
Bëhet fjalë për një nga sfidat më të zjarrta jo vetëm të futbollit italian, por dhe atij evropian e botëror, historia e një rivaliteti i cili nuk ka fund…
Këtë të premte, në “Allianz Stadium”, do të zbresin 52 kampionate të Serisë A, 20 kupa Italie dhe 5 Champions. “Bardhezinjtë” kanë dominuar vitet e fundit në kampionat, të cilin e fitojnë prej 7 vitesh rradhazi, ndërkohë Inter ka filluar të ringrihet disi pas periudhës së vështirë post-tripletë.
Massimiliano Allegri ka detyrën e vështirë të rikthejë Championsin në Torino, me titullin e 8 rradhazi i cili duket që tani i sigurt. të tjera synime për Luciano Spallettin, ku pasi riktheu të tijtë në Champions pas 6 vitesh mungesë, kërkon të ruaje ecurinë pozitive.
Dy strateget janë përballur plot 9 herë mes tyre, 4 suksese për Allegrin kundër 3 të Spalletit, dhe dy takime të tjera janë mbyllur në barazim. Që të dy do ti besojnë yjeve të tyre në majën e sulmit, Ronaldo dhe Icardi, për t’i sjellë fitoren ekipeve respektive në këtë ndeshje mjaft të rëndësishme.
Pavarësisht se asi portugez ka shënuar më shumë gola, kapiteni i zikaltërve ka ditur të jetë më efikas, edhe pse CR7 ka gjuajtur trefishin e goditjeve të argjentinasit. Të dy njihen si vendimtarë për klubet e tyre në sfidat më të rëndësishme, por gjithsesi këtë duhet ta vërtetojnë përsëri të premten në mbrëmje.
Ndërkohë, kjo do të jetë një përballje mjaft interesante mes dy presidentëve, Agnelli dhe Zhang. Numri një i “bardhezinjve” njihet si njeriu që rilindi klubin torinez pas rënies në Serinë B, duke fituar 14 trofe në 8 vitet e fundit. Nga krahu tjetër, Zhang, i cili ka 16 vite diferencë me Agnellin, prej pak kohësh ka marrë frenat e skuadrës zikaltër, por dashuria e tij për Interin njihet që kur Suning bleu ekipin milanez, transmeton SS.
Emocionet dhe spektakli kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë të garantuara, që nga koha e Bonipertit dhe Mazzolas, tek Ronaldo fenomeni dhe Del Piero e deri më sot tek CR7 dhe Icardi. Juventus-Inter premton gjithçka të mundshme, e tifozëve i ngelet vetëm për ta shijuar…