Dalja zyrtare e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk ka ndodhur ende, por tashmë ka filluar ta tkurrë industrinë e shërbimeve financiare të këtij shteti. Bankat dhe kompanitë tjera financiare e kanë larguar nga Britania një vlerë asetesh prej 800 miliardë funtesh dhe e kanë investuar në Bashkimin Evropian për shkak të BREXIT-it.
Shumë banka tashmë kanë hapur zyra të reja në pjesë tjera të Bashkimit Evropian në mënyrë që t’i sigurojnë operacionet e tyre pas BREXIT-it, që do të thotë se ato do të detyrohen t’i zhvendosin edhe asetet tjera në mënyrë që t’i përmbushin rregullat e Bashkimit Evropian. Kompanitë tjera po i largojnë asetet që t’i mbrojnë klientët e tyre nga paqëndrueshmëria e tregut dhe ndryshimet e papritura të rregulloreve.
Sipas të dhënave fillestare, kjo shifër e aseteve paraqet 10 për qind të aseteve të përgjithshme të sektorit bankar në Britani të Madhe. Sidoqoftë, kjo shifër mund të ndryshojë sepse disa banka ende nuk i kanë publikuar planet e tyre për të ardhmen. “Shifrat tona paraqesin vetëm lëvizjet që janë bërë të ditura publikisht. Ne e dimë se firmat janë duke i përgatitur skenarët e tyre prapa skenës”, tha Omar Ali, udhëheqës i shërbimeve financiare në firmën “EY”,shkruan “CNN”,transmeton Gazeta Express.
Britania e Madhe do të dalë edhe ligjërisht nga Bashkimi Evropian pas 81 ditëve, por kryeministrja May ende ka nevojë për kohë për ta fituar mbështetjen e deputetëve për marrëveshjen e ndarjes nga BE-ja. Pritet që marrëveshja të votohet në parlament të martën e ardhshme.