Fjalë Kyçe

Bulliqi me akuza të rënda për LDK-në, thotë se publikuan fotografi kinse ai është me një femër

Bulliqi me akuza të rënda për LDK-në, thotë se publikuan fotografi kinse ai është me një femër

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka akuzuar rëndë Lidhjen Demokratike të Kosovës për manipulim votash në zgjedhjet lokale 2021.

Madje, sipas Bulliqit, LDK ka shpërndarë edhe disa fotografi, kinse ai është me një femër, transmeton Telegrafi.

“Kjo është niveli që kanë arrit me ra, shikoni me çka janë marrë, kanë tentuar të ulin me çdo kusht integritetin tim, fotografi kinse janë të mijat, këtë e bëjnë LDK, kinse ky është kryetari i komunës me femra, pa qenë unë fare pjesë e fotografisë. Fotografi të improvizuara”, deklaroi ai.

Bulliqi po ashtu deklaroi në Kanal 10 se LDK ka blerë vota.

“E kemi një numër të bizneseve, jo të gjitha të cilat kanë derdhë para të pista, të cilat para të pista i kanë fut, dhe i kanë lëshuar në përdorim për me prish procesib zgjedhorë. Ne kemi shumë shembuj të cilët kanë dhanë mjetë të pista. Kjo formë e propagandës për të prekur drejtpërdrejt në integritetin personal janë shumë të ulëta. Unë flas për LDK-në, për propagandën që ka dalë nga kuzhinat e LDK-së në Podujevë, dhe prej njerëzve të cilit kanë punuar për zotin Hyseni”, u shpreh ai.

Ndryshe, sipas të dhënave të deritanishme të KQZ-së, Komuna e Podujevës do të shkojë në balotazh, ku do të përballen kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni ka grumbulluar 16 mijë e 451 vota, kurse kandidati LVV-së, Shpejtim Bulliqi ka marrë 16 mijë e 338 vota. Diferenca mes Hysenit dhe Bulliqit është 113 vota.