Fjalë Kyçe

Bulliqit i kërkojnë që të përfshijë edhe emrat e serbëve në pllakë përkujtimore të viktimave të luftës

Bulliqit i kërkojnë që të përfshijë edhe emrat e serbëve në pllakë përkujtimore të viktimave të luftës

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) e ka quajtur “mohim të viktimave në baza etnike” pllakën përkujtimore që Komuna e Podujevës zbuloi më 1 maj, në 22-vjeotorin e sulmit të NATO-s mbi një autobus në fshatin Lluzhan.

Komuna e Podujevës ka ngritur pllakë përkujtimore dhe aty janë shkruar emrat e 31 shqiptarëve që u vranë në këtë sulm. Por, FDHK-ja përmes një reagimi të bërë të enjten, thotë se aty u vranë edhe 13 serbë dhe kërkon të përfshihen në këtë pllakë përkujtimore.

“Në përvjetorin e 22-të të ngjarjes tragjike në urën e Lluzhanit, me datë 1 maj 2021, në vendin e ngjarjes është përuruar pllaka përkujtimore kushtuar viktimave, e ngritur nga Komuna e Podujevës. Në pllakën përkujtimore janë shënuar emrat e 31 viktimave të nacionalitetit shqiptarë, duke përjashtuar edhe 13 viktima serbe që po ashtu humbën jetën në këtë ngjarje. Kryetari i Komunës së Podujevës z. Shpejtim Bulliqi përmes një postimi në Facebook, mes tjerash, deklaroi ‘… kemi shpalosur pllakën përkujtimore me të gjithë emrat e viktimave që kanë pësuar nga kjo tragjedi’. Për informim të publikut, sipas të dhënave të deritashme të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), me datën 1 maj të vitit 1999, rreth orës 13:00, NATO goditi autobusin e Nish Ekspresit, i cili në atë moment gjendej mbi urën e Lluzhanit dhe po qarkullonte në drejtim të Prishtinës. Si pasojë e kësaj ngjarje, humbën jetën 44 persona. Ndër ta ishin 31 civilë shqiptarë dhe 13 serbë, në mesin e të cilëve 7 civilë”, thuhet në reagimin e FDHK-së.

FDHK-ja ka shprehur shqetësimin, siç ka thënë, rreth mënyrës së tillë të përkujtimit të viktimave.

“Veçanërisht kur institucionet lokale dhe shtetërore kontribuojnë në fuqizimin e narrativave të njëanshme që vënë përpara versione selektive të historisë. Mohimi i viktimave në baza etnike, është fyerje për viktimat dhe familjaret e tyre si dhe thellon përçarjet mes komuniteteve në Kosovë. Prandaj, FDHK-ja kërkon nga Komuna e Podujevës që pllaka përkujtimore të paraqes drejtë ngjarjen e 1 majit të vitit 1999, duke përkujtuar kështu të gjithë ata që kanë humbur jetën në atë ngjarje”, thuhet tutje në reagim.

Në fjalimin e tij, gjatë ceremonisë, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se kujtimi për sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve, na udhëzon për punë të mira, për ecje të drejt dhe na e përkujton se rruga përpara duhet të jetë rruga e ndërtimit dhe e forcimit të Republikës së Kosovës.

“Sot janë bërë 22 vjet, kur në Urën e Lluzhanit u vranë 31 shqiptarë të pafajshëm. Për nder të këtij përvjetori, ne si institucione lokale, në bashkëpunim me familjet e viktimave kemi inicuar ndërtimin e kësaj pllake përkujtimore që tash po e shpalosim para juve me emrat e viktimave që kanë pësuar”, kishte thënë Bulliqi në ceremoninë e zbulimit të pllakës.