Fjalë Kyçe

Burrat vendimmarrës, shkelin barazinë e grave në politikë

Burrat vendimmarrës, shkelin barazinë e grave në politikë

Edhe në këto zgjedhje numri i grave, të cilat po kandidojnë për pozitën e deputetes, është dyfish më i vogël sesa ai i burrave. Derisa në Ligjin për Barazi Gjinore parashihet përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, një gjë e tillë nuk po ndodh në Kosovë.

Vetëm 343 femra janë në listat e partive politike për pozitën e deputetit në zgjedhjet e 6 tetorit, kurse numri i burrave është 724, dyfish më i madh.

Derisa zyrtarë të subjekteve politike janë zotuar se do t’u japin hapësirë edhe grave në pozitat e larta në vend, kjo gjë nuk është parë as në këto zgjedhje, edhe pse qasja e barabartë e burrave dhe e grave në vendimmarrje vlerësohet si parakusht i domosdoshëm për një qeverisje demokratike.

Së fundmi, ka pasur edhe kritika ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili është akuzuar për shkelje të së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat e tyre, shkruan sot “Zëri”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi gjatë ditës së djeshme ka reaguar ndaj këtij Komisioni, i cili po vazhdon t’i shkelë garancitë kushtetuese dhe ligjore sa i përket barazisë gjinore, kryesisht në trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

“Si KQZ-ka, ashtu dhe partitë politike kanë injoruar thirrjet e IKD-së për zbatimin e obligimit ligjor, që përfaqësimi gjinor të promovohet në kuotën prej 50%, ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Barazi Gjinore.

Të premten edhe Avokati i Popullit rreth shqetësimeve të ngritura nga IKD-ja qysh prej zgjedhjeve nacionale të vitit 2017 ka njoftuar se ka parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjegjësisht në Departamentin e Përgjithshëm, padi me kërkesë për masë të përkohshme përkitazi me shkeljen nga ana e KQZ-së të së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes”, është thënë nga IKD-ja.