Përveç privilegjeve që ua ofron pozita e të qenit deputet në Kuvendin e Kosovës, shumë prej tyre, kryesisht ata që janë në pushtet, shfrytëzojnë autoritetin për të punësuar familjarë nëpër institucionet publike.
Telekomi i Kosovës është bërë dera e parë për këto punësime.
28-vjeçari Genc Nitaj, mori kontratën më 28 gusht të vitit të kaluar, si zyrtar i marketingut në këtë ndërmarrje.
Genci është djali i deputetit të AAK-së, ish-gazetarit Muharrem Nitaj.
Por, Nitaj ka mohuar të ketë përdorur autoritetin e tij për ta punësuar të birin në ndërmarrjen e cila atë kohë ishte nën menaxhimin e Gent Begollit, një ish-zyrtari të AAK-së.
Sipas tij, djali u punësua me meritë dhe ka kualifikim më të lartë sesa pozita që e mban aktualisht, e që është zyrtar i marketingut.
Donika Kadaj-Bujupi, që u kthye në AAK pasi e braktisi Vetëvendosjen, gjithashtu ka të punësuar familjarë në Telekom.
Nga 1 gushti i 2018-s, Naser Bujupi, bashkëshorti i saj, u punësua agjent i shitjes në Telekom.
Ajo ka thënë se bashkëshorti i saj është jurist dhe për 20 vjet ka qenë i papunë.
Sipas një raporti zyrtar të Telekomit, 234 persona janë punësuar në periudhën shkurt 2018- 2019.
Në total, Telekomi ka 2 mijë e 540 punëtorë, për dallim prej 2 mijë e 295 sa kishte në vitin 2016