Viti i ri shkollor 2019/2020 ka filluar mbarë dhe pa telashe, derisa të gjitha tekstet e reja janë shpërndarë nëpër të gjitha shkollat e Kosovës. Kështu ka deklaruar ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi i cili tha se fëmijët e kthyer nga Siria shumë shpejt do integrohen në klasë të rregullta.
I pari i arsimit këto komente i bëri gjatë vizitës që realizoi në shkollën fillore “Naim Frashëri” në kryeqytet, ku në këtë vizitë për të uruar vit të mbarë shkollor u shoqërua edhe nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Bytyqi tha se në bazë të informacioneve që ka deri tani, të gjitha tekstet janë bartur nëpër shkolla.
“Sivjet e kemi një lajm po ashtu të mirë për fillimin e mbarë të këtij viti, pasi që në shumicën e nivele tashmë i kemi librat e reja, tekstet e reja të cilat janë në përputhshmëri me kurrikulën dhe shpresojmë që do të ndikojnë pozitiv dhe do t’ia lehtësojnë punën e mësimdhënësve… Sipas informacioneve që kemi po janë shpërndarë në tërë shkollat tona, pasi që janë tekstet e reja dhe është po ashtu një lajm shumë i mirë se kemi tekste për herë të parë edhe për parashkollor që do e kenë një pako që do e marrin për herë të parë“, tha ai.
Në anën tjetër për shumë kohë u përfol se fëmijët e riatdhesuar nga Siria, do nisin mësimin në shtator, por sipas ministrit të Arsimit me qëllim që ata t’u bashkohen bashkëmoshatarëve të tyre, janë duke u bërë edhe disa përgatitje dhe së shpejti edhe ata fëmijët do jenë pjesë e klasave të rregullta.
“Janë duke u bërë përgatitjet dhe pasi të kryhen përgatitjet shumë shpejt do të jenë pjesë e integruar nëpër klasa…Momentin kur t’i përgatisim do të jenë të integruar nëpër klasa dhe do të jenë pjesë e klasave të rregullta”, tha Bytyqi.
Lidhur me mësimin tërë ditor, ai tha se ka pasur kërkesa të shumta nga shumë shkolla por që së shpejti pritet të fillojë edhe ky proces.
“Është duke punuar departamenti për arsim para-univeristar dhe shumë shpejt do të dal me numër të saktë sepse kanë pasur më shumë kërkesa se sa që kemi planifikuar ne dhe do mund të dalim me numër të saktë të shkollave…Besojmë shumë shpejt do të merret një vendim që të filloj edhe brenda shtatorit”, u shpreh ministri i Arsimit.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se komuna e Prishtinë i ka afër 50 mijë nxënës që vijojnë në 73 institucionet arsimore, ndërsa, vetëm këtë vit në klasën e parë janë regjistruar 3500 nxënës.
Ndonëse e kishte pritur që dita e parë në shkollat e komunës ku ai udhëheqë të ketë telashe, Ahmeti thotë se gjithçka ka shkuar ashtu siç është planifikuar.
I pyetur rreth zotimit të tij se në mandatin e tij do ndërtoj pesë shkolla, Ahmeti tha se tanimë dizjani i tyre ka përfunduar dhe se janë duke pritur përgjigjen nga komiteti ndërministror.
“Librat kanë ardhur, po ashtu është risi e mirë që në ditën e parë që t’i kemi të gjithë librat për fëmijët e besoj që në ditët në vijim do të merremi me të gjitha ato telashet që na përcjellin në javën e parë….është dorëzuar në komunitetin ndërministror për partneritet publiko privat dokumentacioni. Kanë 30 ditë që do të na përgjigjen sipas planit që e kemi me Bankën Botërore që ne kemi punuar dizajnin e shkollave, ka përfunduar presim që diku në tetor t’i tenderojmë, pra tashmë i kanë 30 ditë komunitet ndërministror që të na përgjigjet, mund t’u them se do jenë ndër shkollat më të bukura në Kosovë nga dizajni dhe arkitektura që është bërë“, u shpreh Ahmeti.
Në anën tjetër, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës, Shpresa Shala tha se komuna e Prishtinë ka bërë të gjitha përgatitjet për vitin e ri shkollor si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në aspektin pedagogjik.
“Drejtoria e Arsimit ka bërë të gjitha përgatitjet për vitin e ri shkollor si nga aspekti i infrastrukturës, ashtu edhe në aspektin pedagogjik. Ne për herë të parë në nivel të Kosovës kemi bërë planin unik në nivel komunal të cilat tani më janë duke u diskutuar me nxënësit dhe mësimdhënësit dhe fillon implementimi i ri duke pasur parasysh që sivjet është viti i tretë i implementimit të kurrikulës së re dhe gjithashtu kërkesë e mësimdhënësve ka qenë t’i mbështesim profesionalisht, pasi që nuk kanë mjaftuar vetëm ditët e ofruar të trajnimit, kështu që sivjet besoj se edhe nga cilësia kemi me qenë edhe më mirë“, tha Shala.
Drejtoresha e shkollës së mesme të ulët” Naim Frashëri”,Shqipe Vllasaliu po ashtu tha se shkolla që ajo e udhëheqë ka filluar këtë vit të ri shkollor me disa risi.
“Përndryshe edhe ne jemi munduar që të bëjmë përgatitjet ton, kemi risi të mira, kemi disa gjëra të cilat vërtet jemi munduar që t’i ofrojmë edhe nxënësve kushte më të mira për punë do të përpiqemi maksimalisht që cilësinë do e ngrisim aty ku ne duam, dimë dhe do t’ia dalim besoj”, u shpreh drejtoresha e shkollës.