Në shtator 2018, Kosova dhe BE-ja dakorduan Marrëveshjen Financiare për Instrumentin e Para-Anëtarësimit 2018. Marrëveshja u nënshkrua nga BE-ja në shkurt dhe Kosova në prill 2019.
Kostoja totale e vlerësuar e programit IPA 2018 është 94,796,800 euro. Kontributi i BE-së është €90,500,000 ndërsa institucionet e Kosovës do të sigurojnë bashkëfinancim prej €4,926,800.
Nesër Kuvendi i Kosovës do të votojë Projektligjin nr. 06/L-161 për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Marrëveshja ka paraparë financimin e reformave në avancimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, mjedisit, energjisë, arsimit, dhe punësimit.
Në fushën e demokracisë dhe qeverisjes së mirë do të financohet bursa “Skema e Profesionistëve të Rinj” apo Young Cell Scheme (YCS).
Më anë të bursës, të rinjtë e Kosovës do të kanë mundësi të vijojnë studimet master në universitetet evropiane. Po ashtu, do të financohet mbështetja për ngritje të kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës, si dhe do të sigurohet pagesa për pjesëmarrjen e Kosovës në katër (4) Programet e BE-së.
Në fushën e sundimit të ligjit do të mbështet përafrimi i kornizës ligjore dhe institucionale me standarde të BE-së, si dhe fuqizimi i pavarësisë, profesionalizmit, llogaridhënies dhe efiçiencës së sistemit të drejtësisë.
Po ashtu, do të përkrahet lufta kundër korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit. Në fushën e të drejtave themelore, do të përkrahet fuqizimi ekonomik i komuniteteve minoritare në Kosovë.
Në fushën e mjedisit dhe energjisë do të ofrohen 40 milionë për adresimin e ndotjes së ajrit duke zëvendësuar elementet mjedisore të Kosovës B të cilat do të sigurojnë zvogëlimin e emetimeve të pluhurit dhe NOx-it. Po ashtu, 4.9 milionë euro do të ofrohen për deponinë sanitare në Pejë, si dhe zhvillimin e infrastrukturës për menaxhimin e integruar të mbeturinave në gjithë Kosovën.
Në fushën e arsimit, 13 milion euro do të ofrohen për përmirësimin e sistemit arsimor në Kosovë, me theks në avancimin e qasjes së grupeve të cenueshme në sistemin arsimor, përmirësimin e rangimit të Kosovës në PISA, si dhe ndërlidhjen e sistemit arsimor me tregun e punës.
Në fushën e punësimit, 3 milionë euro do të ofrohen për financimin e ngritjes së konkurrueshmerisë së Kosovës dhe mbështetjen e NVM-ve.
Me 3.7 milion euro do të financohet dizajni i Sallës së Koncerteve, do përmirësohet qasja e personave me aftësi të kufizuara në institucionet publike, si dhe do të avancohet komunikimi i asistencës së BE-së në Kosovë.
Gjeni bashkangjitur publikimin e radhës EPIK BRIEF: IPA 2018, si dhe disa infografika për përdorimin tuaj sa më të lehtë.