Fjalë Kyçe

Çfarë që po i shtyn kosovarët drejt ISIS-it?

Çfarë që po i shtyn kosovarët drejt ISIS-it?

Ekspertja e Sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj, ka radhitur disa prej shkaktarëve që i shtyjnë grupe të caktuara të qytetarëve të marrin pjesë në luftëra të jashtme.

Ajo në Info Magazine bëri edhe një krahasim mes shkaktarëve të shteteve të tjera dhe atyre të Kosovës.

“Janë disa kategori të shkaktarëve; shkaktarët e jashtëm dhe ata të brendshëm. Të brendshëm mund të hyjnë disa dhe këtu përfshihet edhe sistemi shtetëror apo mungesa e atij të duhur. Nuk është më sekret që në Europën Perëndimore dhe SHBA një prej shkaktarëve kryesorë është margjinalizimi i emigrantëve të gjeneratës së dytë dhe të tretë. Pra ata persona që nuk e mbajnë mend as vendlindjen se si është duke dhe që nuk kanë kontakt të drejtpërdrejtë me të”.

“Një qytetar në një shtet të caktuar duhet të ndihet që ai shtet ia ofron të drejtën që ai ta ruajë identitetin e vet. Ata që nuk e kanë një ndjenjë të tillë është shumë më lehtë që të pësojnë një krizë të identitetit. Ata nuk mund të integrohen në shoqëri janë pre më e lehtë e faktorëve të ndryshëm, qofshin ata edhe kriminalë apo edhe radikalë”.

“Kjo është për pjesën e Perëndimit, por Ballkanin Perëndimor që kanë ndikuar të disa persona që të shkojnë të luftojnë në një luftë të jashtme nuk janë të njëjtë as në mes Kosovës dhe në rajon”.

“Por ajo çka e bën Kosovën ndryshe nga vendet e rajonit janë ndërrimet e shpeshta politike. Ka pasë kriza të mëdha në transformimin apo në shtetformim. Në këtë aspekt na ka ikë uniteti i qytetarëve që papritmas janë ndje si pa pronar dhe kanë filluar të kenë krizë të identitetit”.

“Po ashtu mungesa e sigurisë njerëzore në përgjithësi ku përfshihet edhe besueshmëria te institucione se sa janë të gatshme t’iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Kjo s’ka të bëjë me pjesën sociale të varfërisë sesa që ka të bëjë me mendjen, personalitetin e individit dhe humbjen e besimit”.

Ndërkaq, avokati Kolë Berisha ka thënë se është një mori motivesh që i shtynë qytetarët e Kosovës drejt vende të luftës në Siri dhe këtu nuk është vetëm ideologjia.

“Përpara njerëzit janë integruar në grupe të caktuara radikale dhe terroriste vetëm nga ndikimi i një faktori apo motivi, për shembull ai fetar apo kombëtar. Por sipas hulumtimeve dhe analizave është konstatuar se numri absolut i rajoneve tona nuk kanë shkuar apo integruar në grupe terroriste vetëm nga një motiv, por nga disa të gërshetuar. Njëri prej tyre ka qenë lakmia pasurore sepse atje është propaganduar se mund të merren 40 mijë dollarë apo plaçkat e luftës. Pra motivi ka qenë pasuror, ideologjik sepse kanë shkuar në emër të ideologjisë”.

“Një arsye edhe më speciale ka qenë se ata kanë menduar që pas kthimit nga Siria do të vinin në pushtet në Kosovë varësisht prej strategjive që atje janë proklamuar”.

Ndërsa, nënkryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Arben Hoti, tha se është pozitive që Kosova dhe institucionet e drejtësisë e kanë prioritet luftimin e terrorizmit.

“Ata janë qytetarë të shtetit tonë dhe janë riatdhesuar sipas ligjeve. Për mua është shumë me rëndësi rreshtimi i Kosovës në aleancën ndërkombëtare në luftë kundër terrorizmit. Këtu Kosova dhe institucionet e saj e kanë pasë një mendje që nga dita e parë që të luftojnë këtë fenomen”.

“Kur jemi te parandalimi në aspekt të radikalizmit ndoshta nuk është bërë shumë. Por kur jemi te parandalimi i kryerjes së veprës penale apo shkaktimit të pasojave të rrezikshme këtu Kosova është mirë dhe kjo falë punës së organeve të ndjekjes dhe bashkëpunimit me aleancat ndërkombëtare”.

“Këtë fenomen që është i ri edhe për botën ka përkrahje nga opionn kosovar që ta luftojmë këtë dukuri”.

“Gjykatat e kanë kryer këtë punë duke i dhënë prioritet këtyre dukurive. Kemi marrë lëvdata nga faktori ndërkombëtar lidhur me njoftimin e këtyre dukurive”.