Mbrojtësi anësor i Chelseat, Marcos Alonso, insiston se Chelsea është ende në garë për ta fituar titullin e Premierligës dhe se do ta dëshmojë këtë gjë në ndeshjen kundër Manchester Cityt në Stamford Bridge të shtunën.
Disfata me rezultat 2-1 në ndeshjen e mbrëmshme kundër Wolves bëri që Chelsea të mbetet 10 pikë prapa liderëve të Premierligës, Manchester Cityt. Skuadra e Maurizio Sarrit ka arritur ta fitojë vetëm një nga katër ndeshjet e fundit, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, Alonso beson se është ende shumë herët për të thënë se Chelsea nuk ka mundësi për ta fituar titullin e Premierligës këtë sezon, madje edhe nëse Manchester City arrin ta fitojë edhe ndeshjen e së shtunës.
“Është shumë herët për të folur për këtë gjë, natyrisht. Nëse humbim, do të jemi 13 pikë larg dhe kjo është shumë pikë, por ne duhet të mendojmë, të përgatitemi për ndeshjen mirë dhe nuk jemi duke i kushtuar shumë vëmendje tabelës për momentin”, ka thënë Alonso.
“Është mundësia e përsosur për t’u kthyer. Do të jetë një ndeshje e mrekullueshme, sigurisht. Të gjithë do të jenë shumë të motivuar për të luajtur. Jemi shumë të zhgënjyer pas disfatës, por duhet të kthehemi të punojmë më shumë se kurrë dhe të luajmë më mirë si ekip”. /Gazeta Express/