Mbyllja e gjysmës së parë të sezonit ka bërë që edhe emri i Sokol Cikalleshit të përflitet në merkato.
Megjithatë, sulmuesi i jep fund spekulimeve dhe konfirmon se e ardhmja e tij do të vazhdojë te Goztepe, aty ku do të vazhdojë të luftojë për të qenë një lojtar i rëndësishëm. Në sezonin e tij të katërt në Superligën turke, sulmuesi nuk ka ndërmend të dorëzohet përballë vështirësive.
“Jam i huazuar te Goztepe deri në fund të sezonit. Nuk kam në plan të lëviz, por edhe teknikisht sepse është skuadra ime e dytë për këtë sezon dhe nuk mund të shkoj edhe në një tjetër ekip të tretë. Për më tepër, prej dy javësh në skuadër ka ardhur trajneri i ri. Tashmë ndihem i gatshëm edhe fizikisht. Do të kërkoj që prej fazës përgatitore në Antalia që të marr sa më tepër minuta në fushë dhe të kthehem në titullar”, thotë Cikalleshi për “A2”.
Një tjetër mision është edhe rikthimi në Kombëtare. Zgjedhjet mbeten gjithmonë të trajnerit Panucci, por Cikalleshi do të bëjë të pamundurën që t’ia vështirësojë punën drejtuesit të stolit dhe të japë kontributin për ekipin kuqezi. “Këto dy vitet e fundit kanë qenë disi të vështira për mua, por duhet të vazhdosh të luftosh. Më vjen keq që nuk kam qenë pjesë e Kombëtares, do të dëshiroja të jem gjithmonë aty dhe të ndihmoj ekipin, por këto janë çështje të trajnerit. Por, e rëndësishme është që të luaj në skuadrën time dhe nëse kjo ndodh, besoj që do të jem pjesë e Kombëtares”.
Sulmuesi analizoi edhe grupin kualifikues të Shqipërisë në Euro 2020, duke vlerësuar se takimi më i rëndësishëm do të jetë pikërisht ai i 22 marsit 2019 kundër Turqisë. Objektivi është fitorja ndaj një kundërshtari direkt dhe suksesi i parë në histori ndaj turqve, megjithatë nevojitet kujdes maksimal.
“Çdo grup në kualifikueset e Euro 2020, jam i sigurt që do të ishte i vështirë. Kemi mundësinë për të bërë diçka, edhe pse Turqia dhe Islanda janë skuadra shumë të mira, duke mos harruar Moldavinë. Ndeshja e parë me Turqinë në shtëpi është thelbësore, sepse për të provuar kualifikimin duhet të mundësh rivalin direkt. Është thikë me dy presa, sepse humbja në shtëpi në ndeshjen e parë do të ishte një ndeshje shumë e keqe. Me Turqinë kemi arritur rezultate në miqësore, por na kanë mposhtur gjithmonë në ndeshje zyrtare. Uroj që kjo të jetë hera e parë kur do të fitojmë një ndeshje zyrtare”.
Pas kualifikimit historik në Europianin e vitit 2016 në Francë, misioni më i vështirë i Shqipërisë është të përsëritë atë sukses. Këtë e pranon edhe Cikalleshi, një prej protagonistëve të asaj arritje, me sulmuesin që nuk preferon të bëjë plane afatgjata, por kërkon që hapat të hidhen me radhë.
“Kualifikimi në Euro 2016 ishte i veçantë, sepse përveç faktit që ishte hera e parë, u bashkuan shumë faktorë. Tashmë është edhe më e vështirë, sepse një herë e arritëm, por vështirësia është ta mbash këtë. Duhet ti marrim ndeshjet një nga një. Trajneri besoj që i ka idetë e qarta tashmë, sepse u bë shumë kohë në kombëtare. Edhe ndeshja me Andorrën duhet fituar, sepse edhe ajo nuk është e lehtë. Por, në fillim ta nisim mbarë ndaj Turqisë”.