Më pak vetura e më shumë këmbësorë e çiklistë. Këtë e propozon Plani i Mobilitetit, i cili kërkon nga Komuna e Prishtinës që të promovojë sa më shumë përdorimin e çikletave.
Por, të udhëtosh me biçikletë në kryeqytet, nuk është e lehtë, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Rrugët e Prishtinës kanë marrë edhe jetë çiklistësh nga aksidentet që kanë ndodhur.
Për këtë, në këtë plan rekomandohet që në vendet ku është e mundur, të krijohen shtigje për çiklistë.
Granit Kadolli, nga Xtrime Bike Prishtina, thotë se Komuna e Prishtinës ka prioritet veturat dhe jo politikat e gjelbra.
Komuna e Prishtinës ka ngushtuar trotuaret në Ulpianë, për të ndërtuar parkingje.
Të vonshëm e ka quajtur publikimin e Planit të Moblitetit, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Pacolli, e cila udhëton me biçikletë që nga koha kur ishte shefe e kabinetit të kryetarit Ahmeti, thotë se edhe shtigjet ekzistuese në “Rrugën B”, nuk mirëmbahen nga Komuna e Prishtinës.
Për shkak të lagjeve që ndodhen në zona të larta, Plani i Mobilitetit rekomandon vendosjen e hapësirave për parking nëpër autobusë të trafikut urban, në mënyrë që kthimin ta bëjnë me autobus.