Fjalë Kyçe

Çmimet e derivateve, Autoriteti i Konkurrencës kërkon hetime nga Prokuroria Speciale

Çmimet e derivateve, Autoriteti i Konkurrencës kërkon hetime nga Prokuroria Speciale

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, AKK, Valon Prestreshi ka njoftuar se nesër do të kërkojë ndihmën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për të hetuar së bashku tregun e derivateve të naftës.

Prestreshi ka thënë se Prokuroria Speciale do ta hetojë këtë treg nga këndvështrimi penal, kurse AKK nga këndveshtrimi civil.

Reagimi i kryetarit të AKK-së vjen pas lajmeve se nafta në tregjet ndërkombëtare ka rënë në nivelin më të ulët, ndërsa çmimet e derivative në Kosovë nuk kanë lëvizur fare.

Prestreshi ka përkujtuar se çfarë parasheh Kodi penal i Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 301: Keqpërdorimi i pozitës së monopolit:

Personi përgjegjës që ushtron një apo më shumë nga veprimtaritë ekonomike në vijim, të cilat keqpërdorin pozitën monopoliste apo dominuese në treg apo në një pjesë substanciale të tregut, duke u përfshirë në një apo më shumë nga veprimtaritë në vijim, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet, nëse:

1.1. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë vë çmime të padrejta të blerjes apo të shitjes ose kushte tjera të padrejta tregtare;

1.2. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë rregullon çmimet e blerjes apo të shitjes ose kushtet tjera të tregtisë.

Të premten, në Bursën e Londrës, çmimi për barelë të naftës ka arritur nivelin më të ulët që nga viti i kaluar.

Një barelë për furnizim në shkurt kushtonte 53,24 dollarë.

Kurse, në Bursën e New Yorkut (New York Mercantile Exchange), një barelë naftë të premten tregtohej për 45,13 dollarë, që është niveli më i ulët që nga korriku i vitit 2017.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) ka vendosur në fillim të muajit të zvogëlojë nxjerrjen e naftës për rreth 1,2 million barela në ditë duke nisur nga janari me qëllim të ndaljes së rënies së çmimeve.