Fjalë Kyçe

Covid-19 lë pasoja afatgjate te pacientët e prekur

Covid-19 lë pasoja afatgjate te pacientët e prekur

Përveç vështirësive gjatë ballafaqimit me Covid-19 e shpenzimeve të larta të mjekimit, personat që infektohen me Covid-19 po përballen edhe me shumë pasoja që Covid-19 po u shkakton në organizëm edhe pas shërimit nga ky virus.

Dy pulmologë, më herët të infektuar edhe vetë me koronavirus, flasin për përvojat e tyre por edhe të pacientëve të tyre.

Pulmologu Shyqri Hyseni, i cili edhe vetë po përballet me këto probleme shëndetësore, edhe pse kanë kaluar katër muaj që nga infektimi i tij me koronavirus.

“Përvoja ime edhe shkencore edhe praktike është e tillë që ata të cilët edhe marrin terapinë e duhur, edhe e kalojnë kohën e inkubacionit prej 14 ditësh, është përvojë e keqe. Të infketuarit edhe më tutje deri në 3,4,5 e 6 muaj ndjejnë mungesë të oksigjenit, lodhje, rraskapitje. Edhe në Amerikë rastet që kanë qenë të sëmurë nga Covid-19 pasojat i ndjenjë deri në gjashtë muaj dhe më tepër”, tha ai për RTV21.

“Unë lodhem shpejt dhe s’mund t’i kryej aktivitetet të cilat i kryeja para sëmundjes së Covid-19”, shtoi ai.

I infektuar me Covid-19 ishte edhe pulmologu i Klinikës së Pulmologjisë, Besim Morina. Thotë se pacientët që e kalojnë Covid-19 në formë të rëndë mund të kenë probleme afatgjate shëndetësore edhe pas shërimit nga ky virus.

“Shumica e pacientëve, mos të themi të gjithë, por te shumica e pacientëve që kalojnë në sëmundje të rëndë të Covidit, një pneumoni të rëndë, zakonisht kanë probleme të vazhdueshme, duke nisur prej simptomeve më të thjeshta siç janë kolla kronike, pastaj mund të jetë një dhimbje e gjoksit që vazhdon me muaj, mund të jetë djersitje, mund të jetë një plogështi apo humbje e kondicionit që pacientët shpesh ankohen për gjë të tilla”, shpjegon doktori.

“Kemi një grup pacientësh që shndërrohen në pacientë kronikë”, theksoi Morina.

Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve që e kalojnë Covid-19 dhe kanë probleme shëndetësore që të mos i neglizhojnë simptomat dhe të kërkojnë ndihmën e specialistëve të fushës.